Kreu i Partisë Demorkatike, Sali Berisha e ka cilësuar një betejë për ekzistencën e kombit shqiptar, atë se çfarë po ndodh në vendin tonë me qeverinë e inkriminuar të Ramës. Në ditën e 240 të qëndresës qytetare, Berisha theksoi dje nga ballkoni ku qëndron i izoluar se regjimi i pamëshirshëm vjedh qytetarët e saj deri në palcë, duke ndërtuar rrugë që tejkalojnë shifrat reale të saj, ndërsa fitimet i merr të gjitha për vete. Kjo betejë është betejë për jetën, ekzistencën e kombit shqiptar. Kjo betejë është betejë për jetën, ekzistencën e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Me të drejtë mund të shtrohet pyetja: po pse shqiptarët kaluan nga qytetarët me rrogat më të larta në qytetarët në rrogat më të ulëta. Pse në Shqipëri, në 8 vite mjerimi si varfëri e skajshme u rrit me 4 herë? Çfarë ndodhi? Ndodhi sepse u instalua me shpejtësi të madhe një regjim i pamëshirë që vjedh gjer në palcë qytetarët e këtij vendi.
U vendos një regjim i pamëshirë që ndërton 1 km rrugë 10 herë, 15 herë më shtrenjtë se sa ndërtohej para vitit 2013, apo se sa ndërtohet sot në Kroaci, sot në Kosovë dhe sot në vende të tjera. Sepse për ndërtimin e një shkolle shqiptarët paguajnë 10 herë më shumë se çdo europian dhe vidhen nga qeveritarët 80% të fondit, sepse 1 km rrugë te sheshi Shqiponja kushtoi 30 mln euro, në një kohë kur në asnjë vend të botës ai rindërtim nuk mund të kushtonte më shumë se 1 deri në 3 mln euro”, deklaroi ai. Ndërkohë Berisha akuzoi qeverinë e Edi Ramës për krijimin e një regjimi të korruptuar dhe kriminal që bashkëpunon me krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve. Ai theksoi një raport të tronditshëm të Organizatës Botërore të Emigracionit, sipas të cilit Shqipëria renditet në krye të vendeve nga të cilat banorët janë larguar masivisht, me 66% të shqiptarëve që janë larguar gjatë tri dekadave të fundit.
Berisha theksoi se sot në Shqipëri jetojnë vetëm 34% e shqiptarëve të lindur dhe të rritur në vend, ndërsa mbi 1.6 milion shqiptarë janë larguar. Ai argumentoi se, pas vitit 2014, largimet janë intensifikuar dhe janë bërë më të mëdha se ndonjëherë më parë. “Sot në Shqipëri banojnë vetëm 34% e shtetasve shqiptarë që janë lindur dhe janë rritur në këtë vend. Mbi 1.6 milionë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria. E vërteta është se në vitin 1991 shqiptarët të cilët kishin gjithësej 204 dollarë për frymë dhe dolën nga sistemi hiperkolektivist-socialist, si fantazma më shumë, se sa si njerëz, u takuan me lirinë, por dhimbjet e urisë, dhimbjet e mjerimit i detyruan ata masivisht të largohen nga Shqipëria. Qindra e mijëra u larguan nga deti, nga toka, nga ky vend. Por e rëndë dhe e tmerrshme është se largimet më të mëdha, 40% të atyre që janë larguar nga Shqipëria këto 30 vite, u larguan pas vitit 2014. Në vitet 2005-2013, edhe pas heqjes së vizave kishte qarkullim, kishte edhe largime, por pati më shumë kthime në Shqipëri. 180 mijë familje shqiptare u kthyen nga emigracioni në Shqipëri”, nënvizoi Berisha dje.
