Pas përmbysjes elektorale të vitit 2023, kur socialistët me Benet Becin si kandidat fituan për herë të parë Bashkinë e Shkodrës, qarku duket se është kthyer në një nga fushëbetejat elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Për të siguruar shumicën e 11 deputetëve që dalin nga kjo zonë – dikur e dominuar nga Partia Demokratike – palët janë duke investuar në mbledhjen e votave të diasporës, të cilës i është mundësuar për herë të parë votimi.
“Po i çojnë të vdekurit nga varri për vota, jo më emigrantët,” thotë një mësuese nga Vau i Dejës për BIRN, pa dashur të identifikohet me emër.
“Nuk jam kontaktuar nga eprorët, por nga vetë nxënësit, të cilët më kanë kërkuar që t’u gjej miq e shokë në Itali,” shtoi ajo.
Mësuesja thotë se kjo ishte një situatë e pritshme, pasi më herët partitë politike i sillnin emigrantët me avionë e autobusë për të votuar në Shqipëri.
“Zgjedhjet e kaluara sollën më shumë se 2000 emigrantë për të votuar në Vaun e Dejës me çdo shpenzim të mbuluar,” shtoi ajo.
Shqiptarët që jetojnë jashtë vendit do të kenë mundësi për herë të parë që të votojnë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë balancat elektrorale në vend. Sipas të dhënave të siguruara nga BIRN, Partia Socialiste në Bashkitë e Shkodrës, Malësisë së Madhe dhe Vaun e Dejës po përdor punonjësit e administratës publike për të ndikuar votën e të afërmve të tyre në emigracion. Një praktikë e ngjashme denoncohet se po ndiqet edhe në bashkinë e Pukës që drejtohet nga demokratët.
Përmes intervistave të veçanta, një duzinë me punonjës të administratës me profesion infermierë, mësues apo nëpunës vendorë i thanë BIRN se ishin urdhëruar të dorëzonin lista me kontakte emigrantësh; ndërsa një pjesë thanë se “ndjeheshin nën presion” për këtë.
Por kryebashkiaku Benet Beci, njëkohësisht drejtues i PS-së në Shkodër i mohoi akuzat.
“Nuk ka asnjë presion ndaj askujt. Shembujt i keni konkret në Bashkinë Shkodër,” tha Beci për BIRN, duke iu referuar faktit se nuk kishte shkarkuar nga detyra mbështetësit e opozitës. Ai tha se kërkesa për kontakte ishte diçka që u ishte përcjellë strukturave të PS-së me qëllim: “Angazhimin e anëtarësisë dhe kontaktin e çdo shqiptari të mundshëm për të shpalosur platformën tonë”.
Por ndryshe nga kryebashkiaku, punonjës të administratës thonë se prej tyre kërkohet që të sigurohen vota në diasporë.
Një mësuese nga Shkodra, e cila është vetë pjesë e strukturave të Partisë Socialiste, i tha BIRN se minimalisht një punonjësi i kërkohej të siguronte 10 vota, ndërsa drejtuesve deri 100 vota të sigurta diaspore.
“Kjo është edhe në përputhje me pritshmërinë e kryeministrit për 200 mijë vota nga diaspora”, tha gruaja, që ashtu si punonjësit e tjerë të kontaktuar, kërkoi të ishte anonime. “Po angazhohen kudo…Sipas përgjegjësisë, edhe numri i votave,” shpjegoi ajo.
Përdorimi i administratës për të mbushur hambarin e votave në diasporë është identifikuar si problem edhe nga monitorues të zgjedhjeve.
Bepin Kolvataj, gazetar dhe monitorues i tha BIRN se prej kohësh ata kanë sinjalizime të përdorimit të administratës në fushatë zgjedhore.
“Sipas informacioneve që kam, po ju kërkohen të dhëna për çdo të afërm që jeton në diasporë, duke plotësuar formular me gjeneralitetet e tyre, vendbanimin, numrin e celularit e të tjerë. Gjithashtu, një pjesë e administratës është angazhuar për të marrë pjesë në takimet elektorale të diasporës, ndonëse shumica e tyre po zhvillohen kryesisht në fundjavë jashtë orarit zyrtar të punës, por që prania është e detyrueshme për ta,” tha Kolvataj.
Arbana Dibra, një tjetër aktiviste dhe monitoruese në zgjedhje prej vitesh, tregon se qarku i Shkodrës ka pasur gjithmonë problematika në fushata zgjedhore. “Nga eksperienca e monitorimit të procesit zgjedhor kam vërejtur shkelje dhe procese të paligjshme, si përshembull korrupsion për blerje të votave në komunitete të margjinalizuara”, thotë Dibra.
