Qeveria ka nxjerrë “në shitje” pasuritë e paluajtshme të Shqipërisë, ku pas “faljes” së ishullit të Sazanit, radha shkoi më në jug, Kalaja e Lëkursit në Sarandë. Në muajin nëntor 2024 është marrë vendimi i Komitetit të Investimeve Strategjike, i kryesuar nga kryeministri Edi Rama. Sipas vendimit, u miratua projekti “LËKURSI”, me subjekte aplikuese TDT & PARTNERS dhe TECHNO-ALB. “Në fillim të aplikimit, subjekti dorëzoi pranë AIDA-s dokumentacionin e projektit, i cili përfshinte realizimin e një kompleksi të madh turistik, i cili shtrihej ZK 8642, në një gjurmë me sipërfaqe prej 67,9 ha në zonën e Lëkursit, Bashkia Sarandë. Projekti parashikonte realizimin e zonave të hotelerisë, zonave rezidenciale dhe shërbimeve të ndryshme.
Subjektet kanë ndarë projektin me faza dhe për fazën e parë projekti është pajisur me Leje Zhvillimi nga KKT për resort multifunksional, banim hotel dhe shërbime” thuhet në këtë dokument. Sipas saj, në muajin tetor 2024 është marrë leja e ndërtimit për këtë resort. Po, përse e donin këto firma statusin e investitorit? Natyrisht, kategorizimi si “investitor strategjik” i ruan nga konfliktet gjyqësore me pronarët e mundshëm të trojeve. Ose për marrjen falas të mijërave metrave katrorë të tjera, pronë shtet. Zona në fjalë është ndarë nga Bashkia e Sarandës vite më parë, por pakkush e ka regjistruar në Kadastër. Tashmë, të gjithë zonat “e lira” do t’i kalojnë këtyre firmave private. Një skemë e pastër e zhvatjes së pronave.
