BIRN: Qeveria po përdor “luftën hibride” si alibi, protestat zbulojnë krizën e thellë të besimit ndaj pushtetit

Data

Përballë protestave që prej një jave kanë mbushur rrugët e Tiranës dhe qyteteve të tjera, qeveria ka zgjedhur të flasë për ndërhyrje të huaja dhe luftë hibride. Por sipas një analize të publikuar nga BIRN, retorika që fajëson Iranin apo aktorë të tjerë të jashtëm nuk mund të fshehë krizën e thellë të besimit që është krijuar mes qytetarëve dhe shumicës qeverisëse.

Në analizë theksohet se kryeministri Edi Rama, gjatë aktiviteteve ndërkombëtare të ditëve të fundit, ka ngritur shqetësimin për sulmet hibride ndaj Shqipërisë, duke lënë të kuptohet se edhe protesta kundër projektit të Zvërnecit dhe qeverisë mund të jetë ndikuar nga fushata dezinformimi të lidhura me Iranin.

Megjithatë, BIRN argumenton se megjithëse ekzistojnë profile dhe faqe që shpërndajnë propagandë iraniane apo lajme të rreme në rrjetet sociale, ato nuk mund të shpjegojnë mobilizimin e mijëra qytetarëve që kanë dalë në protestë.

Sipas analizës, problemi kryesor qëndron te humbja e besimit ndaj institucioneve dhe mungesa e transparencës së qeverisë në lidhje me projektin e diskutueshëm në zonën e Nartës dhe Zvërnecit.

BIRN vëren se për më shumë se dy vite qytetarët, banorët lokalë, organizatat mjedisore dhe mediat nuk kanë marrë informacion të plotë mbi projektin, ndërsa komunikimi publik ka qenë i kufizuar dhe shpesh kontradiktor. Kjo situatë, sipas autorëve, ka krijuar terren të favorshëm për spekulime, teori konspirative dhe mosbesim.

Në analizë përmenden gjithashtu një sërë skandalesh dhe çështjesh që kanë ushqyer pakënaqësinë publike, duke filluar nga aferat korruptive dhe investimet publike të kontestuara, deri te problemet në shëndetësi, arsim dhe shërbimet bazë.

Një tjetër kritikë lidhet me mënyrën se si autoritetet reaguan ndaj protestave dhe incidenteve të regjistruara në terren. Sipas BIRN, në vend të dialogut dhe transparencës, u përdorën narrativa që synonin të delegjitimonin protestuesit, duke i lidhur ata me interesa të huaja ose me fushata të koordinuara dezinformimi.

Analiza nënvizon gjithashtu se qeveria nuk ka zbatuar në praktikë strategjinë kombëtare kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja, e cila u miratua me shumë bujë, por sipas monitorimit të BIRN ka mbetur kryesisht në letër.

Në përfundim, media investiguese argumenton se protesta nuk mund të reduktohet në një produkt të “luftës hibride”, por duhet parë si pasojë e drejtpërdrejtë e pakënaqësive të akumuluara, mungesës së transparencës dhe krizës së besimit që po përjeton një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë shqiptare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related