Kompania e ndërtimit të rrugëve Gjoka Konstruksion udhëhoqi listën e kontratave të prokurimeve publike gjatë vitit 2024, duke fituar gjashtë kontrata me vlerë të përgjithshme 8.8 miliardë lekë (rreth 89 milionë euro), ku projekti më i madh ishte kontrata për rehabilitimin e rrugës Fier – Frataj me vlerë 3.6 miliardë lekë.
Kompania Gjoka fitoi tenderë për ndërtim rrugësh si dhe për ndërtim ujësjellësish. Projekti më i kushtueshëm sa i përket ujësjellësave është ai i titulluar: “Furnizim me ujë i zonave bregdetare Zonat e Investimit Strategjik Draleos, Drimadhes dhe Dhërmi Faza e III”, për të cilin taksapaguesit po shpenzojnë rreth 800 milionë lekë pa TVSH (rreth 8 milionë euro).
Kompania “Salillari” u rendit në vend të dytë me tetë kontrata me vlerë të përgjithshme 4.6 miliardë lekë. Kontrata më e madhe titullohet: Ndërtim aksi rrugor Elbasan – Papërr Faza I me vlerë 2 miliardë lekë.
Kompania “Fusha” u kthye në majë të renditjes së kontraktorëve vitin e kaluar pas disa vite mungesash. Ajo fitoi shtatë kontrata me vlerë të përgjithshme 4 miliardë lekë, duke u renditur në vend të tretë. Kontrata më e madhe është Zgjerimi i rrugës Elbasan- Qafë- Thanë (Faza VIII) me vlerë 2.2 miliardë lekë.
Kompania BE – IS SH.P.K fitoi 11 kontrata me vlerë të përgjithshme 3.7 miliardë lekë. Kontrata më e madhe është “Ndërtim aksi rrugor Papërr – Ura e Grykshit, Faza II” me vlerë 2.1 miliardë lekë.
