Kandidati i Presidentit të zgjedhur Donald Trump për postin e Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth, e quan veten një “agjent të ndryshimit”. Ai ka dalë sot para komisionit të Forcave të Armatosura të Senatit, në një seancë konfirmimi, që pritet të jetë e vështirë për të, mes pikëpyetjesh të ngritura mbi aftësinë e ish-veteranit të ushtrisë dhe gazetarit televiziv për të udhëhequr ushtrinë amerikane.
Përvoja e mëparshme e zotit Hegseth në Gardën Kombëtare shihet gjerësisht si një pikë e fortë e tij. Por ai gjithashtu ka një historik deklaratash tronditëse, apo veprimesh të së kaluarës, që kanë ngjallur kritika, përfshirë akuzat për abuzim seksual, përdorim të tepruar të alkoolit, apo mbi pikëpamjet e tij nënçmuese mbi rolin e grave në ushtri si dhe të pakicave.
