Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, u ka bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës kombëtare që do të mbahet sot në orën 17:00, përpara Kryeministrisë.
Në reagimin e tij publik, Këlliçi akuzon kryeministrin Edi Rama se po bllokon drejtësinë dhe sillet sikur është mbi ligjin, duke e cilësuar qeverisjen aktuale si të zhytur në afera dhe lidhje me krimin. Sipas tij, qytetarët nuk duhet ta pranojnë këtë situatë dhe duhet të reagojnë përmes protestës.
“Kushdo që kërkon zgjidhje, ndalimin e sundimit dhe shtypjes, e ka vendin e tij sot në shesh”, shprehet Këlliçi, duke e cilësuar tubimin si një moment të rëndësishëm për reagimin qytetar.
Protesta pritet të zhvillohet pasditen e sotme në Tiranë, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar masa për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë tubimit.
