Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën dhe ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i ka bërë thirrje diasporës shqiptare që të rregjistrohet prej datës 11 janar, kur do të nisë procesi i regjistrimit për të gjithë shtetasit shqiptarë që dëshirojnë të votojnë në zgjedhjet e 11 majit.
Ministri Balla në një video të publikuar në rrjetet sociale deklaron se ky proces do të realizohet përmes një platforme të re elektronike të ngritur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas Ballës, Kodi Zgjedhor i miratuar më 26 korrik 2024 përcakton që regjistrimi i votuesve jashtë vendit fillon katër muaj përpara ditës së zgjedhjeve. Ai e cilësoi procesin si të rëndësishëm, ndonëse pak të koklavitur, duke theksuar se është një praktikë që ekziston në shumë vende të botës. Për t’u regjistruar, çdo shtetas duhet të hapë një llogari në platformën elektronike të KQZ-së, e cila do të jetë funksionale nga 11 janari. Procesi nuk lidhet me platformën e-Albania, por përfshin një sistem të ri, ku aplikantët duhet të fotografojnë fytyrën e tyre për verifikim dhe të presin një konfirmim nga KQZ.
“Në momentin kur të vjen konfirmimi nga KQZ-ja për procesin e votimit, do të duhet të vendosësh edhe një adresë. Për të konfirmuar këtë adresë, mjafton çdo lloj dokumenti që mund të keni, qoftë një kontratë qiraje për shtëpi, qoftë një kontratë furnizimi me ujë të pijshëm, qoftë një kontratë furnizimi me internet apo energji elektrike, ose edhe çdo lloj dokumenti tjetër, qoftë leje qëndrimi (permesso di soggiorno) apo një kontratë me bankën. Për fëmijët, le të themi, mund të përdoret një vërtetim nga shkolla” tha Balla duke folur para emigrantëve në Firence.
