Vizitat e fundit në Izrael po shndërrohen gjithnjë e më shumë në një ritual pastrimi politik për liderë të kontestuar, të izoluar dhe nën presion ndërkombëtar. Ajo që po paraqitet publikisht si diplomaci e nivelit të lartë, në thelb ngjan me një pelegrinazh pushteti, ku mëkatet politike kërkojnë amnisti përmes fotografive dhe ceremonive.
Kryeministri shqiptar Edi Rama u përpoq ta paraqiste udhëtimin e tij në Tel Aviv si një moment të veçantë, pothuajse historik, duke ndërtuar narrativën e një marrëdhënieje personale dhe të privilegjuar me Izraelin. Por ky mit u shemb shpejt. Vetëm disa orë pas tij, në të njëjtat korridore pushteti u shfaq Milorad Dodik, një tjetër figurë e rëndë e Ballkanit, e sanksionuar dhe e izoluar ndërkombëtarisht.
Dodik jo vetëm që u prit zyrtarisht, por u dekorua me një nga çmimet më të larta, “Jabotinsky për Lirinë”, i dorëzuar nga kryetari i Knessetit. Pamjet e ceremonisë treguan një politikan të rehabilituar simbolikisht, duke rrëzuar çdo pretendim për ekskluzivitet apo trajtim të veçantë të Ramës. Mesazhi ishte i qartë: Izraeli nuk vepron mbi bazë morali politik, por mbi kalkulime interesi.
Ngjashmëria mes Ramës dhe Dodikut nuk është rastësi. Të dy janë liderë me probleme serioze kredibiliteti në Perëndim. Të dy janë, në mënyra të ndryshme, të distancuar nga Uashingtoni. Dodik për shkak të sanksioneve të drejtpërdrejta, Rama përmes një izolimi të heshtur, por domethënës. Prej vitesh, kryeministri shqiptar nuk ka zhvilluar asnjë vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara dhe nuk është parë në takime të rëndësishme euro-atlantike.
Në këtë kontekst, Izraeli shfaqet si stacioni i fundit për liderë që kërkojnë legjitimitet të importuar. Si dy hallexhinj politikë, Rama dhe Dodik shfaqen në të njëjtën skenë, duke kërkuar falje simbolike dhe një alibi për të dalë nga zullumi. Nuk është rastësi që qarkullojnë zëra për ndërmjetësime të kërkuara për t’u “paraqitur më mirë” në sytë e administratës amerikane. Këto nuk janë vizita historike. Janë vizita terapeutike, të ndërtuara për mbijetesë personale.
Europa, ndërkohë, nuk blen shfaqje. Ajo nuk ndikohet nga ceremoni, tone solemne apo skena të orkestruara për kamera. Sa më shumë që këta liderë kërkojnë legjitimitet artificial, aq më e dukshme bëhet mungesa e atij real. Dhe çmimin e kësaj strategjie nuk e paguajnë ata personalisht, por vendet që përfaqësojnë.
Rreziku është që Shqipëria dhe Bosnja të mbeten peng i një modeli pushteti që kërkon shpëtim jashtë, sepse nuk e gjen dot më brenda. Dy shtete që largohen gjithnjë e më shumë nga standardet europiane dhe rrezikojnë të mbeten në periferi të demokracive që dështuan të reformohen.
