Gjatë vitit 2024, SPAK ka luajtur një rol kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri, me një sërë hetimesh dhe arrestimesh të figurave të njohura të politikës.
Në fokus kanë qenë ish-Presidenti Ilir Meta, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, ish-Kryeministri Sali Berisha, dhe Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.
Gazetarja Klodiana Lala e vlerësoi SPAK si një organ të fuqishëm që vepron në dy drejtime kryesore: lufta ndaj korrupsionit në nivelet e larta të politikës dhe lufta kundër krimit të organizuar. Lala theksoi se ka një luftë të ashpër ndaj grupeve kriminale, duke përfshirë Shkodrën, Durrësin, Tiranën dhe Elbasanin, dhe se ka një panoramë të qartë të lidhjeve mes politikës dhe krimit.
Një nga çështjet më të rëndësishme për SPAK është ajo e inceneratorëve, që konsiderohet si një test i madh për efikasitetin e kësaj prokurorie. Po ashtu, çështja e koncesionit të sterilizimit, ku Ilir Beqaj është akuzuar si kreu i një grupi të strukturuar kriminal, ka nxitur hetime të thelluara. Lala vuri në dukje se SPAK ka qenë subjekt i disa sulmeve dhe presionesh nga segmente të caktuara, por vazhdon të përballet me sfida të mëdha për të provuar se është në gjendje të godasë dhe të sjellë drejtësinë në këto raste të rëndësishme.
