Gazetari Artan Hoxha ka komentuar vendimin e Kryeministrit Edi Rama për mbylljen e Tik Tok gjatë vitit zgjedhor, duke theksuar se ky rrjet social krijon shumë problematika për Ramën në fushatë.
Hoxha argumentoi se Rama është një njohës i mirë i Tik Tok dhe, për këtë arsye, ka vendosur ta mbyllë për të shmangur efektet negative gjatë periudhës zgjedhore.
Ai shtoi se që në momentet e para kur Rama pa masivitetin e Tik Tok, ai e konsideroi atë si një “lodër të re” për të arritur te publiku, pa pasur ndonjë filtër për të kontrolluar informacionet dhe mesazhet që përhapen. Hoxha theksoi se kjo i jepte mundësinë Ramës për të përdorur Tik Tok për të arritur objektivat e tij, por gjithashtu e kishte vënë në dijeni se mund të dalin kritika të forta për keqqeverisjen dhe korrupsionin.
Ai po ashtu theksoi se Rama e përdori Tik Tok për të përfituar në favor të tij, duke i përdorur personazhet e njohur të rrjetit për të shpërndarë mesazhe politike. Sipas Hoxhës, vetëm në periudhën zgjedhore, ky përdorim i Tik Tok mund të dalë jashtë kontrollit dhe të ketë ndikim të dëmshëm për Ramën.
