Vrasja e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt, Apeli i GJKKO dënon me burg përjetë Xhuljano Hoxhën dhe zbret 1 vit burg për të penduarin Euglen Halili

Data

Gjykata e Posaçme e Apelit ka marrë ditën e djeshme vendimin për Xhuljano Hoxhën duke e dënuar përjetë si dhe Euglen Halilin me 16 vite burgim për dy vrasjet në Elbasan, atë të Emiljano Ramazanit dhe Regis Runaj.  Ndërkohë Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë duke vendosur dënimin përjetë të tij, ndërsa Apeli i zbrit vetëm një vit të penduarit të drejtësisë, Eugen Hoxhën, i cili zbërtheu vrasjet e bujshme, duke e dënuar përfundimisht me 16 vite heqje lirie. Vendimi i Apelit të Posaçëm u morr menjëherë pas ankimit të SPAK, dënime që u dhanë nga Shkalla e Parë. Nga ana tjetër kujtojmë se organi i akuzës kërkoi 12 vite heqje lirie për Euglen Halilin si dhe 30 vite burg për Xhuljano Hoxhën lidhur me kryerjen e dy vrasjeve që dyshohet se janë vënë në skenë nën urdhrat e Erjon Alibejt.

Vendimi i Gjykatës së Apelit

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

Lënien në fuqi të Vendimit nr. 64, datë 11.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa është disponuar në lidhje me të pandehurit Xh.H.
Lënien në fuqi të Vendimit nr. 64, datë 11.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa është disponuar në lidhje me faktet penale dhe fajësinë e të pandehurit E.H., me ndryshimet si vijon:
Dënimin e të pandehurit E.H. me 10 vjet burgim për kryerjen e veprës penale në dëm të viktimës E.R., sipas nenit 78/2 në lidhje me nenin 28/4, nenin 334/2, nenin 28/7 të Kodit Penal si dhe pikat 2 dhe 4 të nenit 37/a të Kodit të Procedurës Penale.
Dënimin e të pandehurit E.H. me 15 vjet burgim për kryerjen e veprës penale në dëm të viktimës R.R., sipas nenit 78/2 në lidhje me nenin 28/4, nenin 334/2, nenin 28/7 të Kodit Penal si dhe pikat 2 dhe 4 të nenit 37/a të Kodit të Procedurës Penale.
Dënimin e të pandehurit E.H. me 3 vjet burgim, sipas nenit 278/4 në lidhje me nenin 28/4, nenin 334/1, nenin 28/7 të Kodit Penal si dhe pikat 2 dhe 4 të nenit 37/a të Kodit të Procedurës Penale.
Dënimin e të pandehurit E.H. me 1 vit burgim, sipas nenit 333/a/2 në lidhje me nenin 28/7 të Kodit Penal si dhe pikat 2 dhe 4 të nenit 37/a të Kodit të Procedurës Penale.
Në bazë të nenit 55/2 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve caktimin si dënim përfundimtar ndaj të pandehurit E.H. me 16 vjet burgim.
Lënien të fuqi të vendimit të sipërcituar për pjesët e tjera të tij.

Vrasja e Emiljano Ramazanit

Kujtojmë se vrasja e Emiljano Ramazanit ka ndodhur më 20 korrik të vitit 2020 në lagjen “28 Nëntori”, në qytetin e Elbasanit. Burime bëjnë me dije se ekzekutimi ka ndodhur për shkak larje hesapesh droge, pasi njihej gjerësisht si shpërndarës kokaine dhe droge në qytet. Sipas gazetarit Elton Qyno raportohet se vrasja e 39-vjeçarit, Emiljano Ramazanit është realizuar nga tre persona të ndodhur në një automjet, ku njëri prej tyre ka qëlluar me armë tip pistoletë, duke shkaktuar vdekje të menjëhershme. Burime të prokurorisë Elbasan thuhej se viktima është qëlluar 5 herë me pistoletë në momentin kur po parkonte automjetin tip ‘Ford Fokus’ poshtë banesës së tij. Kujtojmë se Ramazani ishte proceduar tri herë për veprimtari kriminale, atë të shpërndarjes së kokainës në qytetin e Elbasanit. Nga ana tjetër dy herë deklarohej i pafajshëm ndonëse në dosjen policore nuk mundonin provat që dëshmonin të kundërtën.

Vrasja e Regis Runajt

Ndërkohë, qetësia për Elbasanin nuk ka të ndaluar pasi miku i “Ramazanit”, Regis Runaj është ekzekutuar me thikë më datë 29 Korrik 2020 në lagjen “Emin Matraxhiu”, në afërsi të varrezave të qytetit. Burime bëjnë me dije se në trupin e 23-vjeçarit janë gjetur 7 plagë të shkaktuara nga mjeti i mprehtë dhe më pas është hedhur në një rrugë qorre ku nuk kalojnë njerëz. Duke ndihmuar kështu autorët që të mos lënë gjurmë pasi kanë vrarë Runajn. Dyshohet se shkak kryesor i vrasjes ngelet prishja e pazareve të drogës dhe bashkëpunimi me Emiljano Ramazanin.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related