Këshilli i Ministrave ka vendosur blerjen e një prone në Bruksel, e cila do të shërbejë si seli për Misionin e Përhershëm të Shqipërisë pranë Bashkimit Europian.
Vendimi, i publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare, përcakton një fond limit prej 240 milionë lekësh për këtë qëllim dhe sanksionon procedurat që do të ndiqen për realizimin e blerjes.
Sipas vendimit, prona duhet të përmbushë disa kritere, duke përfshirë vendndodhjen e përshtatshme pranë institucioneve të BE-së, sigurinë fizike dhe statusin e lirë nga ngarkesat hipotekore apo juridike. Një Komision i Posaçëm, i kryesuar nga zëvendësministri për Punët e Jashtme dhe me përfaqësues nga institucione të ndryshme shtetërore, do të shqyrtojë dhe vlerësojë ofertat, duke mbikëqyrur procesin e negociatave dhe finalizimin e kontratës.
Efektet financiare për blerjen do të mbulohen nga buxheti i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vitin 2024, ndërsa prona do të regjistrohet në përputhje me legjislacionin belg pas përfundimit të procesit. Kjo lëvizje shënon një hap të rëndësishëm për përforcimin e pranisë diplomatike të Shqipërisë pranë Bashkimit Europian.
Vendimi i Këshillit të Ministrave:
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE PROCEDURAVE PËR PËRDORIMIN E FONDIT PËR BLERJEN E NJË PASURIE TË PALUAJTSHME QË DO TË SHËRBEJË SI SELI E MISIONIT DIPLOMATIK PRANË BASHKIMIT EVROPIAN, NË BRUKSEL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 14, të nenit 11, të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave V E N D O S I:
1. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, në vijim “Ministria” dhe Misioni i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, në vijim “Misioni”, realizojnë procedurën e blerjes së një pasurie të paluajtshme në Bruksel, Mbretëria e Belgjikës, e cila do të shërbejë si seli e Misionit të Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, me një fond limit jo më shumë se 240 000 000 (dyqind e dyzet milionë) lekë, sipas rregullave dhe procedurave, të parashikuara në këtë vendim.
