Prokuroria e Tiranës kërkon sekuestrimin e pasurive të shtetasit Elton Arkaxhiut. Ky shtetas ka qenë i dënuar në Francë për ‘Trafikim i lëndëve narkotike’, ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’
Në njoftimin zyrtar, Prokuroria thotë se nga hetimet ka rezultuar se ka mospërputhshmëri të burimit të financimit (të ardhurave + huamarrje) me pasuritë e dokumentuara.
Nga informacionet e siguruara në rrugë operative janë identifikuar pasuritë e paluajtshme, blerja e të cilave nuk justifikohet me të ardhurat e këtij shtetasi dhe të familjarëve të tij deri në vitin 2020 dhe dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale
Mësohet se Prokuroria kërkon sekuestrimin e pasurive si;
1 – Pasuri e llojit truall, me sip.71.52m2 dhe ndërtesë 37.52m2 në Tiranë;
2 – Pasurinë njësi shërbimi 108m2 me vendndodhje Rr. Besim Imami; dhe
3 – Pasurinë njësi shërbimi 63m2 në Rr. Besim Imami.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkon sekuestrimin e pasurisë së shtetasit E.A., bazuar në ligjin për ‘Parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë’.
Në kuadër procedimit pasuror nr.3, datë 23.12.2024, nga hetimet paraprake rezultoi se shtetasi E.A., ka qenë i dënuar në Francë për veprën penale të ‘Trafikimit të lëndëve narkotike’, ndërkohë që në vitin 2011 rezulton i proceduar penalisht për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
