Për Genc Pollon është koha që opozita pasi ka protestuar më shumë se kushdo tjetër kundër regjimit dhe pasi e ka denoncuar atë me fakte, tashmë duhet të kalojë në marshin elektoral. Z.Pollo thotë për gazeta “Panorama” se në një kohë kur opozita po goditet nga koka, prej saj lipset që të ngjallë shpresë te njerëzit me një ekip të ardhshëm kuvendor e qeveritar kompetent e të paqortueshëm.
Ish-ministri flet për situatën ku ndodhet opozita, rrugëdaljet, përndjekjen politike ndaj saj, mosbindjen civile, projektin elektoral dhe mundësitë e heqjes së “non-grata”-ës së Sali Berishës. Genc Pollo zbardh një bisedë tri javë më parë me ish-ofiqarë të presidencës “Trump” 2017-2021 dhe të afërt me ekipin aktual të Presidentit të ri të SHBA-ve.
Nga pyetja për rishikimin e “përcaktimeve moshyrje” të firmosura nga Blinken, Pollo thotë se mori përgjigjen e tyre: “Politika e përcaktimeve do të shqyrtohej nga administrata ‘Trump’ dhe se në këtë kuadër ishte shumë e mundur që të anuloheshin përcaktimet problematike të së shkuarës”. Ndaj, z. Pollo shprehet se do të ishte në nderin e Departamentit të Shtetit që ta anulonte sa më parë vendimin për “non-grata”-n e Sali Berishës.
Z.Pollo, që nga lirimi i z.Berisha vihet re një eufori te demokratët. Çfarë ndryshon për ta? Si po ndikon tek opozita lirimi i tij
Kush rifiton lirinë, e gëzon atë më shumë se ai që nuk e ka humbur ndonjëherë. Krishti i ringjallur është më i fuqishëm se Krishti ende i pakryqëzuar. Mund të rendisja të tjera krahasime e metafora për të shpjeguar që fundi i kalvarit “arrest shtëpiak” ngjall gëzim e shpresë te demokratët, por edhe te të tjerët, që i kanë për zemër parimet kushtetuese.
Duket se me lirimin e z.Berisha ka marrë hov mosbindja civile, por në kushtet aktuale, a është e nevojshme apo zgjidhje për demokracinë në vend?
Mosbindja civile ka qenë një formë reagimi edhe para arrestit të z. Berisha. Nëse biem dakord që po jetojmë në një regjim autoritaro-kleptokratik, çdo reagim është legjitim e i nevojshëm. Jo thjesht për të përmbysur regjimin me një të rënë sëpate, por për të mbajtur gjallë e lart frymën e qëndresës që do të japë frytet e veta.
