Ja si do të rivlerësohen pronat me 3%, qeveria çon në Kuvend projektligjin

Data

Qeveria ka marrë një hap të rëndësishëm në përpjekjen për të rivlerësuar pasuritë e paluajtshme në Shqipëri, duke hapur mundësinë për një proces që ka të bëjë me një vlerësim të ri të pronave. Ky vendim ka për qëllim të modernizojë sistemin e vlerësimit të pasurive, por gjithashtu do të sjellë një ngarkesë të re për qytetarët, të cilët do të duhet të paguajnë një taksë 3% për shtëpitë e tyre. Procesi i rivlerësimit do të nisë së shpejti dhe tashmë është hapur një iniciativë në Kuvend që synon të rregullojë mënyrën e implementimit të këtij projekti, duke krijuar një balancë mes përfitimeve të shtetit dhe ngarkesave për qytetarët.

“DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR “PËR RIVLERËSIMIN E PASURISË SË PALUAJTSHME”. Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave, V E N D O S I: Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 13 dhjetor të këtij muaji.

Çfarë ka ndodhur?

Ndërkohë kujtojmë se pak javë më parë rivlerësimi i pasurive të paluajtshme është shtyrë për vitin 2025, por pa një afat se kur do të fillojë si proces. Në fakt rivlerësimi i pasurive të paluajtshme pritej të hynte në fuqi në shtator, por kjo shtyrje vjen për shkak se ende nuk ka përfunduar reforma e caktimit të referencave të pronave në të gjithë vendin. “Rivlerësimi i pasurive te paluajtshme do te behet paralelisht me caktimin e çmimeve të referencës për gjithë territorin e Shqipërisë, në mënyrë që të përfitojnë të gjithë. Është një proces që do të zgjasë përgjatë vitit të ardhshëm kur të bëhen referencat e reja”, u shpreh ministri i Financave, Petrit Malaj në Komisionin e Veprimtarisë pak javë më parë.

Fillimisht do caktohen çmimet e referencës në qytetet e tjera të vendit, dhe më pas të nisë rivlerësimi pasi të dy proceset duhet të ecin paralelisht në mënyrë që të përfitojnë të gjithë qytetarët nga afrimi i vlerës së pronës së tyre me çmimet e tregut. Kjo qasje bëhet për shkak se siç ka paralajmëruar kryeministri Edi Rama ky do të jetë rivlerësimi i fundit, dhe për këtë arsye caktimi i referencave të reja për qytetet e tjera kryesisht ato të bregdetit, i rrit automatikisht vlerat e pronave. Pas këtij procesi, mund të nisë rivlerësimi nga i cili qytetarët mund të përfitojnë duke përafruar vlerën e pronës së tyre me çmimet reale të tregut, bazuar edhe në referencat e reja që do të caktohen.

 

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related