Tensione të forta janë shënuar pasditen e sotme para Kryeministrisë, ku protesta e lëvizjes “Shqipëria Bëhet” u shoqërua me përplasje fizike mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë së Shtetit.
Si pasojë e ndërhyrjes policore, disa protestues janë dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës, ku mësohet se kanë marrë trajtim për lëndime të lehta.
Burime bëjnë me dije se mes personave të lënduar ndodhet edhe kreu i lëvizjes, Adriatik Lapaj, i cili ka pësuar dëmtime në dorë gjatë tensioneve të krijuara në shesh.
Shkak përplasjesh, çadrat para Kryeministrisë
Sipas informacioneve paraprake, përplasjet nisën pasi protestuesit tentuan të ngrejnë dy çadra përpara godinës së Kryeministrisë, veprim që u kundërshtua nga policia. Situata u përshkallëzua shpejt, duke çuar në shtyrje fizike dhe ndërhyrje për shpërndarjen e protestuesve.
Ndihmë mjekësore, por pa rrezik për jetën
Autoritetet shëndetësore konfirmojnë se të lënduarit nuk janë në rrezik për jetën dhe po marrin trajtimin e nevojshëm, ndërsa pritet më shumë informacion për gjendjen e tyre shëndetësore.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje tensionet e shtuara politike dhe mënyrën e trajtimit të protestave paqësore, duke nxitur reagime dhe debate të forta në opinionin publik.
