Berisha thërret qytetarët në protestë kundër qeverisë më 23 dhjetor, kërcënon me kaos e dhunë dhe vihet në lëvizje…

Data

Ish-kryeministri Sali Berisha ka thirrur dje një protestë të madhe më 23 dhjetor, duke ftuar qytetarët të bashkohen kundër qeverisë, ndërsa kërcënon me kaos dhe dhunë për të sfiduar autoritetin e qeverisë aktuale. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha nuk heziton të kërkojë edhe heqjen e statusit “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e konsideruar këtë një prioritet për rikthimin e legjitimitetit të tij politik. Në një moment delikat për partitë politike shqiptare, Berisha ka paralajmëruar gjithashtu se nuk do të marrë pjesë në listat e hapura për zgjedhjet parlamentare të 2025, duke u trembur nga gara e hapur dhe paralajmëruar futjen e merit të tij në listë fituese, ndërsa ka konfirmuar vazhdimin e luftës politike kundër kundërshtarit të tij, kryeministrit Edi Rama me çdo mjet të mundshëm.

Protesta e 23 dhjetorit

Konkretisht kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dalë dje në një konferencë me gazetarët, teksa ka zbuluar datën se kur do të zhvillohet protesta e radhës e opozitës. Berisha njoftoi se protesta do të mbahet në datën 23 Dhjetor. Kryedemokrati u shpreh se e hëna e 23 Dhjetorit, do të jetë dita e mosbindjes civile më të fuqishme kombëtare që ka njohur Shqipëria deri më sot. Ai deklaroi se protesta duhet të ketë fuqinë e elektroshokut, ndërsa u bëri thirrje shqiptarëve kudo që janë t’i bashkohen mosbindjes civile.

“Data 23 Dhjetor do të jetë dita e mosbindjes civile më të fuqishme kombëtare që ka njohur Shqipëria deri më sot. Modalitetet e kësaj mosbindje civile do të përcaktohen nga grupi përgjegjës, por opozitarët, demokratët nga mbarë Shqipëria e kudo që ndodhen në botë duhet të bashkohen më 23 në një mosbindje civile. Duhet të ketë fuqinë e elektroshokut për regjimin narkodiktatorial të Ramës. Diktatura rrëzohet ose me lëvizje të armatosur siç dje me diktatorin gjakatar Bashar Al Asad, ose me mosbindje civile. Opozita shqiptare ka zgjedhur mosbindjen civile si rrugën kryesore, të vetme për të çliruar shqiptarët nga narkodiktatori dhe diktatura e tij që kërkon të marrë njëlloj si Lukashenko mandatin e katërt, të grabisë mandatin e katërt”, deklaroi ai.

“Non-grata” në SHBA

Më tej kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha theksoi se pret dorëzimin e pushtetit dhe inaugurimin e Presidentit të zgjedhur të SHBA-ve Donald Trump për të nisur përpjekjet për zhbërjen e vendimit që e shpalli “non-grata”. Ende me sytë nga Trump, Berisha u shpreh se shpallja “non grata” do të ngelet në historinë e demokracisë si një njollë e zezë për ata që e vendosën.

“Siç kam theksuar, i gjithë problemi im dhe vendimi im për moslobim lidhej me ata që kryen grushtin e shtetit ndaj opozitës shqiptare. Me përpjekjen antidemokratike për të kontrolluar opozitën, kontrolluar kryetarin e saj, për ta shndërruar opozitën në një vegël të Edi Ramës. Tani që ata dorëzojnë pushtetin, unë pres dorëzimin e pushtetit nga ana e tyre, që unë të filloj përpjekjet e mia për të paraqitur këtë akt që do të ngelet, në historinë e demokracisë, si një njollë e zezë për ata që e vendosën. Pra nuk ka asnjë sekret që ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet tona, por natyrisht duhet që administrata e presidentit Donald Trump të inaugurohet dhe të nisë punën në të gjitha institucionet”, u shpreh ai.

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025

Ndwrkohw Sali Berisha në konferencën me gazetarët, u shpreh se PD ende nuk përcaktuar asgjë në lidhje me listat e mbyllura dhe të hapura. I pyetur nëse dhe ai do të garojë në listë të hapur, sikurse ka paralajmëruar Edi Rama, Berisha u shpreh se nuk e imiton kurrë kryeministrin. “Nuk kemi asgjë të përcaktuara për momentin. Nëse mendon se Berisha imiton Ramën është akti i fundit që do të bënte para se të vriste veten”, tha ai. Sakaq për kreun e PD Sali Berishën vendimi i kryeministrit Edi Rama për të dërguar si drejtues politik Blendi Klosin në qarkun e Dibrës është një lëvizje e detyruar për të akomoduar një prej figurave më të refuzuara në Partinë Socialiste.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related