Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lënë të hapur mundësinë e një konflikti ushtarak me Venezuelën, duke rritur ndjeshëm tensionet mes Uashingtonit dhe Karakasit. Në një intervistë për NBC News, Trump deklaroi se ndërhyrja ushtarake është një nga opsionet që nuk përjashtohet.
I pyetur drejtpërdrejt nëse SHBA-të mund të shkojnë në luftë me Venezuelën, presidenti amerikan u përgjigj shkurt: “Jo, nuk e përjashtoj.” Ai shtoi se veprimet kundër regjimit të Nicolas Maduro janë pjesë e skenarëve që po shqyrtohen nga administrata e tij.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment kur Shtetet e Bashkuara kanë ashpërsuar presionin ekonomik ndaj Venezuelës, duke urdhëruar një embargo të re ndaj anijeve cisternë të sanksionuara të naftës që nisen nga portet venezueliane. Ky vendim synon të godasë drejtpërdrejt burimin kryesor të të ardhurave të regjimit të Karakasit.
Kur u pyet nëse qëllimi final i tij është largimi i Nicolas Maduro nga pushteti, Trump u shpreh: “Ai e di saktësisht se çfarë dua unë. Ai e di më mirë se kushdo tjetër.” Një deklaratë kjo që shihet si mesazh i qartë politik dhe strategjik ndaj presidentit venezuelian.
NBC News thekson se këto deklarata janë veçanërisht domethënëse, duke pasur parasysh se gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2024, Trump e kishte ndërtuar narrativën e tij mbi premtimin për të mbajtur Shtetet e Bashkuara larg konflikteve të huaja. “Unë nuk do të filloj një luftë, por do t’i ndal luftërat”, kishte deklaruar ai në fjalimin e fitores pas zgjedhjeve.
Sipas administratës amerikane, regjimi i Maduro po përdor të ardhurat nga nafta për të financuar atë që Uashingtoni e cilëson si “terrorizëm droge”, një akuzë që Karakasi e ka mohuar vazhdimisht.
Deklaratat e fundit të Trump kanë ndezur debat të fortë ndërkombëtar dhe kanë rikthyer frikën për një përshkallëzim të ri të krizës në Amerikën Latine, në një moment kur balancat gjeopolitike globale mbeten tepër të brishta.
