Forumi Rinor i Partisë Demokratike së bashku me kreun e kësaj force politike kanë mbajtur këtë të diel, me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë, një aktivitet dhe homazhe pranë bustit të Azem Hajdarit, duke kujtuar Lëvizjen Studentore, e cila nisi si sot, 34 vite më parë, duke rrëzuar diktaturën dhe solli demokracinë
Të rinjtë e FRPD mbanin pankarta në duar me mbishkrimet “Dita e rinisë, pa rini”, “Ëndrrat e djeshme, sfidat e sotme”, “Fuqia e rinisë, është fryma e demokracisë”, “Emigracioni i rinisë, vdekja e kombit”, “Na ka mbetur vetëpm dita e rinisë”, “Qeveria pasurohet, studentët varfërohen”.

Gjithashtu, gjatë aktiviteti, ata mbajtën dhe fjalime, ku përcollën dhe mesazhet e tyre, teksa kreu i FRPD, Besart Xhaferri bëri me dije se Universiteti i Tiranës iu kishte refuzuar kërkesën për ta mbajtur aktivitetin në sallën e godinës së Lirisë.
Aktiviteti në Qytet Studenti u përmbyll me fjalimin e kryedemokratit Sali Berisha, i cili kujtoi takimin e Azem Hajdarit me Ramiz Alinë dhe momentin kur ai së bashku me Besnik Mustafajn iu bashkuan studentëve.
