Në datën 1 maj 2021, 95% e shërbimeve për qytetarët shqiptarë kaluan online përmes portalit e-Albania. Kryeministri Edi Rama e deklaroi këtë përmes një postimi në faqen e tij zyrtare, si një hap që do shmangte ryshfetin:“ S’ka më sportele! S’ka më radhë! S’ka më orare! S’ka më as edhe një arsye në botë për të dhënë ryshfet për marrjen e një dokumenti shtetëror!”, tha ai. Por miliona eurot që janë shpenzuar vitet e fundit nga taksat e qytetarëve për të mbajtur “në këmbë” shtetin i cili ka kaluar i gjithi online kanë nxjerrë zbuluar abuzimet që janë bërë nga Agjencia Kombëtare Shqiptare e Informacionet (AKSHI) që drejtohet nga Mirlinda Karçanaj.
Faktet tregojnë se dixhitalizimi i të gjitha shërbimeve publike ka shtuar korrupsionin në Shqipëri. Jo vetëm kaq, por sistemi i sigurt që pretendon drejtoresha e këtij institucioni vazhdon të japë provat se është i dështuar. Jo vetëm që është hakeruar, por në shumicën e rasteve nuk punon. Procesi i vërtetimit të pronësisë së automjeteve ka qenë i paralizuar prej më shumë se një jave, duke shkaktuar kaos dhe shqetësim te qytetarët. Shërbimi në platformën e-Albania, i cili duhet të lehtësojë këtë procedurë, nuk funksionon, ndërsa Karçanaj nuk ka dhënë asnjë reagim zyrtar. “Përshëndetje, bëni ndonjë reagim për çështjen e vërtetimit të pronësisë së automjeteve, sepse nuk funksionon e-Albania. Ka një javë që nuk dëgjohet askush, shteti nuk po reagon, dhe po bëjmë ne, qytetarët e thjeshtë, punën që duhet të bëjë administrata.
Nuk shet dot makinë ose të blesh makinë pa shkuar nga një vend në tjetrin. Po ndodhin noterizime të paplota, dhe e-Albania fle gjumë!”, denoncojnë qytetarët. Kjo situatë ka krijuar pengesa të mëdha për ata që duan të shesin ose të blejnë automjete, duke i detyruar qytetarët të ndjekin procedura të stërzgjatura dhe të lodhshme. Noterët raportojnë gjithashtu mangësi në dokumentacion për shkak të ndërprerjes së shërbimit, duke e bërë situatën edhe më të ndërlikuar. Heshtja e autoriteteve e rëndon situatën dhe rrit pakënaqësinë e qytetarëve. Në një kohë kur sipas kryeministrit digjitalizimi i shërbimeve shihet si një zgjidhje për të shmangur burokracinë, ky rast tregon se sa lehtë hidhen milionat e taksave të popullit nga Karçanaj për oligarkët dhe sërish sistemi nuk funksionon.
Kush do të mbajë përgjegjësi?
Deri më tani, për gjithë këto skandale, askush nuk mban përgjegjësi. Rama duhet ta shkarkonte menjëherë Karçanajn nga detyra që në momentin kur u publikuan listat e pagave të të gjithë shqiptarëve. Ajo nuk e dha dorëheqjen pasi tha se nuk ka asnjë përgjegjësi për publikimin e listës së pagave dhe kreu i qeverisë nuk mori asnjë masë për këtë skandal të madh që shkaktoi “tërmet” në opinionin publik. Jo vetëm kaq, por masa e saj duhet të ishte më e rëndë kur plasi skandali i patronazhistëve. Të dhënat personale duhet të mbrohen me ligj dhe institucionet shtetërore e kanë detyrim ligjor për ti mbrojtur ato. Karçanaj, dështoi dhe socialistët që i kanë siguruar nga AKSHI, apo diku tjetër të dhënat personale duhet të mbanin përgjegjësi.
Jo vetëm kaq, por shkarkimin urgjent ajo duhet ta merrte nga tenderat e dyshimtë që ka dhënë, pasi ato janë kthyer në monopol dhe i fitojnë të njëjtat kompani. Le ta marrim të mirëqenë se AKSHI-t po i bie në qafë. Le ta marrim të mirëqenë po ashtu se AKSHI nuk ka asnjë përgjegjësi për patronazhistët, për rrjedhjen e të dhënave dhe skandalet e tjera. Po për lekët e taksapaguesve shqiptarë si do i bëhet? Kush do të mbajë përgjegjësi nëse fajtore nuk është Karçanaj e cila është shndërruar si një monument kulture që vazhdon të mbrohet nga Edi Rama?
