Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta mobilizoi dje militantët në protestë para SPAK. Mesazhin e tij e përçoi edhe përse ishte në qeli, përmes një letre që u lexua nga sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Arla Merja. Mesazhin e tij, Meta e përdori për të sulmuar SPAK dhe kreun e saj Altin Dumani. Këtë të fundit teksa e quajti mercenar, tha se SPAK po përdoret nga Rama për të sulmuar opozitën.
“Jemi këtu se SPAK me veprimtarinë antikushtetuese, të paligjshme, arbitrare po i shërben verbërisht Narkoregjimit për të rrëmbyer në mënyrë të dhunshme dhe antidemokratike një tjetër mandat 4-vjeçar. Ishte ky SPAK që “Dosjen e Dibrës”, që tronditi edhe Europën dhe u bë çështje e Parlamentit Europian dhe Bundestagut, e delegoi në Prokurorinë e Dibrës për të relativizuar dhe shuar një nga krimet më të orkestruara elektorale të Edi Ramës dhe zyrtarëve të lartë të “Rilindjes”.
Ishte ky SPAK, që denoncimin e opozitës në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 2021-shit për krimet elektorale që bënë zyrtarët e “Rilindjes” me bandat e Elbasanit nuk e hetoi, por ja kaloi Prokurorisë së Elbasanit, që ishte në konflikt interesi, sepse vëllai i Prokurorit ishte kandidat për deputet i Partisë Socialiste, ndaj kjo solli edhe gjakderdhjen e Elbasanit, por edhe manipulimin e ngjarjes nga policia dhe Prokuroria. Ishte po ky SPAK që për rrjedhjen e të dhënave të qytetarëve në prag të zgjedhjeve të 2021, në vend që të hetonte Qeverinë, hetoi dy gazetarët që informuan publikun për skemën kriminale të patronazhimit të qytetarëve.
SPAK nuk është palë, por një instrument kamikaz i Edi Ramës për t’u përdorur kundër opozitës, demokracisë, pluralizmit politik dhe garanton paprekshmërinë e Ramës dhe regjimit të tij. Nuk ka as media, as pseudoanalistë, as sondazhe të mirëpaguara, që e mbulojnë dot më se çfarë është SPAK-u dhe Dumani. Ata janë garantët e korrupsionit të Edi Ramës dhe në marrëveshje të plotë me të, godasin me regji dhe mirëkuptim “limona të shtrydhur” të Rilindjes, por pa cënuar aspak kolonën vertebrore të këtij mekanizmi dhe sidomos Kryekorruptorin edhe të Ndërkombëtarëve”, deklaroi ndër të tjera Meta.
