Në fund të muajit korrik, Edi Rama hapi përmes një eventi pompoz garën 392 milionë euro për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano. Shefi i qeverisë lajmëroi se për ndërtimin e kësaj vepre kishin shprehur interes 15 kompani, pjesa dërrmuese e të cilave nga më të mëdhatë në botë.
“Më vjen shumë mirë që ndër kompanitë e interesuara, ne kemi 5, edhe 5 kompanitë e listuara, si 5 më të mëdha në botë që tregon se çfarë interesi ka ky port”, tha Rama.
Tenderi ishte parashikuar të zhvillohej në datën 16 shtator. Por i gjithë procesi rezultoi një dështim pasi në garë nuk u paraqit asnjë ofertë. Qeveria u detyrua të pranonte zyrtarisht dështimin e tenderit në fillim të tetorit, kur Agjencia e Prokurimeve Publike publikoi njoftimin e anullimit. Por ndryshe nga sa ndodh në këto raste, ku pas anullimit, gara shpallet sërish menjëherë, me portin nuk ndodhi kështu.
Cuditërisht, Autoriteti Portual i Durrësit nuk e ridhodhi sërish në tender ndërtimin e Portit. Dy muaj e gjysmë pas dështimit të tenderit të parë, ndërtimi i portit të ri ka hyrë në kalendat greke, i mbështjellë nga një heshtje, e cila hedh dyshime jo të vogla.
