Ndërsa kamerat inteligjente dhe detektorët pritet të instalohen në 20 shkolla publike, Ministria e Arsimit la të kuptohet se nuk kishte rol në zbatimin e projektit “Smart City”, duke i lënë jetime pretendimet se janë bërë konsultime publike me prindërit.
Ministria e Arsimit dhe Sportit u distancua nga zbatimi i projektit të kushtueshëm “Smart City” përmes një përgjigje për BIRN, pavarësisht se 20 shkolla publike janë parashikuar që të përfitojnë kamera inteligjente dhe detektorë me qëllim rritjen e masave të sigurisë.
Sipas Ministrisë së Arsimit, ligji për ratifikimin e marrëveshjes së huasë me Fondin e Zhvillimit të Abu Dhabit përcaktonte Ministrinë e Brendshme si institucion përgjegjës për zbatimin e projektit.
BIRN iu drejtia Ministrisë së Arsimit me kërkesë për të drejtë informimi, pasi më herët, Ministria e Brendshme pretendoi se ishin kryer konsultime publike me prindërit për zbatimin e projektit “Smart City” në shkolla nëpërmjet Ministrisë së Arsimit. Edhe pse nuk ktheu një përgjigje direkte për konsultimet, Ministria e Arsimit la të kuptohej se ajo nuk kishte ndonjë rol për të luajtur në lidhje me këtë projekt.
Projekti “Smart City” parashikon vendosjen e mijëra kamerave inteligjente në hapësirat publike, mes të cilave kamera për monitorimin e trafikut në rrugë si dhe në 20 shkolla si pjesë e një testimi pilot. “Smart City” është përfshirë në listën e projekteve me rëndësi kombëtare nga qeveria shqiptare dhe parashikohej fillimisht që të kushtonte 60 milionë dollarë amerikanë, por kostot e tij gati u dyfishuan në 118.5 milionë dollarë pa asnjë shpjegim, ndërsa pritet që të mbulohen përmes një huaje me Fondin për Zhvillim të Abu Dhabit.
