Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është rikthyer ditën e sotme pas 331 ditësh në zyrën e tij në selinë blu, pasi Gjykata e Posaçme i revokoi masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Ai u prit në oborrin e selisë blu nga qindra demokratike mes entuziasmit, këngëve, brohorimave dhe flamujve të PD-së dhe Shqipërisë, teksa lideri demokrat takoi mbështetësit e tij pas rreth 11 muajsh.
Ai iu drejtua dhe një fjalim demokratëve, duke e konsideruar si një punë të kryer, betejën për lirimin e tij, teksa sipas tij, monstrat e demokracisë, Edi Rama dhe Xhorxh Soros dështuan përfundimisht.
Sali Berisha: Të dashur miq! U krye dhe kjo! Piramida me e madhe e mashtrimit në historinë e drejtësisë europiane të pas Luftës së Dytë Botërore mori sot goditjen më fatale! Përshëndes çdo shqiptar me mirënjohjen më të madhe. Sot, Shqipëria u ndriçua nga rrezet e para të rikthimit të pandalshëm të demokracisë! Sot është dita kur monstrat e demokracisë, Edi Rama dhe Xhorxh Soros dështuan përfundimisht. Dështuan në tentativën e tyre për të shkatërruar opozitën shqiptare në grushtin e shtetit që i bënë ndaj saj. Sot, ne së bashku, sakrifica e 330 ditëve, nundi i 3 viteve, triumfiu dhe u shpërblye. Ne qëndruam, qëndruam dhe vetëm qëndruam për të vërteten dhe vlerat që besojmë. Mbas një kohe të gjatë që Shqipëria nuk sheh një ditë të mirë. Mbas një kohe të gjatë, që Shqipëria është zhytur në errësirë. Sot është një ditë e mirë për shqiptarët. Sot është një ditë e mirë për opozitarët. Një ditë shprese. Por sot, është një ditë e mirë edhe për ata që nuk janë opozitarë. Sot është një ditë e mirë edhe për kundërshtarët e opozitës. Sepse sot nuk fitoi Sali Berisha. Sot ka fituar e vërteta. Sot ka fituar ligji dhe Kushtetuta! Sot ka fituar Shqipëria!
Lideri demokrat u shpreh më tej se këtë vit ka thyer rekordin për fjalime, por shtoi se tashmë veprimi do të jetë kryefjala e tij. Berisha falenderoi edhe gjyqtaren Flojera Davidhi, e cila e liroi nga izolimi, teksa sipas tij, ajo nderoi ligjin, moralin e ligjit dhe Kushtetutën.
