Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me 27 vite burg Llej Lika dhe 20 vite burg për Klaudio Gjexhaj, të cilët akuzohen se janë autorë të vrasjes së Rakip Rolit.
Vendimi i Apelit:
Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Nga aktet e ndodhura në dosje rezulton se, prokuroria e shkallës së parë Lezhë ka regjistruar procedimin penal të vitit 2021, i cili lidhet me ngjarjen e datës 10.12.2021, ku në lagjen nr. 5, Sanxhak, Laç, Njësia Administrative Laç, Bashkia Kurbin, është vrarë me armë zjarri i ndjeri shtetasi me iniciale R. R. Viktima ka qënë duke qarkulluar me automjetin e tij, sipas drejtimit nga Sanxhaku për në Mamurras, ai është qëlluar kur ndodhej i vetëm brenda automjetit. Të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale janë shtetasit me iniciale Ll. L dhe K. Gj (B).
Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, është zhvilluar gjykimi i çështjes penale ndaj:
të pandehurit me iniciale Ll. L, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim për hakmarrje” e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 78/2 – 25 dhe 278/1 të Kodit Penal.
të pandehurit me iniciale K. Gj (B), i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim për hakmarrje” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78/2 – 25 i Kodit Penal.
Lidhur sa më sipër, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin nr. 196, datë 29.04.2024, ka vendosur:
Deklarimin fajtor të pandehurit Ll. L për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 78/1 – 25 të Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite e dënon me 25 (njëzet e pesë) vite burgim.
Deklarimin fajtor të pandehurit Ll. L për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 278/1 të Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite e dënon me 7 (shtatë) vite burgim.
Në bashkim të dënimeve, në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, i pandehuri Ll. L dënohet me një dënim të vetëm prej 27 (njëzet e shtatë) vite burgim.
Deklarimin fajtor të pandehurit K. Gj (B) për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 78/1 – 25 të Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite e dënon me 20 (njëzet) vite burgim.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehurit me iniciale Ll. L, i cili kërkoi :
-Ndryshimin e vendimit të gjykatës së shkallës së parë në bazë të nenit 428, germa “b” të Kodit të Procedurës Penale, deklarimin fajtor të pandehurit për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje”, e parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me minimumin që parashikon kjo dispozitë për këtë vepër penale.
