Prej më shumë se dy vitesh, agjencia shtetërore e fluturimeve, “Albcontrol” është një krizë të thellë financiare, pasi mbi 80 milionë euro që gjenden në llogaritë e saj pranë shoqërisë ajrore europiane, “Eurocontrol”, janë nën sekuestro, pas një vendimi që ka marrë Gjykata e Arbitrazhit të Bankës Botërore (ICSID), në çështjen “Beketi kundër Shqipërisë”.
Për të zbutur sadopak këtë situatë emergjente, Qeveria shqiptare i ka dhënë “Albcontrol” mbi 8 miliardë lekë të reja (rreth 80 milionë euro) hua për të kryer shërbimet emergjente, si edhe për të kryer pagesat e stafit. Këto hua kanë nisur të jepen duke nisur nga mesi i vitit 2022 e deri në fund të vitit 2023.
Por, pavarësisht kësaj krize që e çoi “Albcontrol” në prag të falimentimit, drejtuesit e kompanisë shtetërore menduan në qershor të vitit 2023 që të rrisnin pagat e tyre dhe të stafit me 30 përqind.
Në 9 qershor 2023, Drejtori i Përgjithshëm i asaj kohe, Laureta Omeri, i ka dërguar Këshillit Mbykqyrës të “Albcontrol” një relacion me “propozim për shkallatoren e re të pagave”, ku kërkohej rikthimi i nivelit të pagave të periudhës para-pandemisë Covid 19.
