Altin Dumani po bëhet gati për goditjen e madhe, nën hetim gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga vetingu…

Data

Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK), Altin Dumani, në një takim të organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, ka bërë me dije se organi i akuzës që ai drejton ka nisur një sërë çështjesh penale duke marrë indicie nga vendimet e Vettingut për shkarkimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve në vend. Kreu i SPAK sqaroi se shkarkimet e Vettingut kanë shërbyer si indicie, që më pas prokurorët të thellojnë hetimet dhe të regjistrojnë çështjet penale për korrupsion pasiv ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të shkarkuar. “Do ndalem te ndjekja penale për subjektet që i janë nënshtruar vetingut.

SPAK ka pasur edhe raste kur ka aplikuar ligjin antimafia për subjektet të kësaj natyre dhe ka konfiskuar pasuri që u përkasin subjekteve të shkarkuar nga vetingu. Sa i takon hetimit, në hetim ka vend për të përmirësuar dhe ne po mësojmë të mos përsërisim të njëjtat gabime. Edhe materialet e përdorur në proceset administrative t’i përdorim në proces penal jo si prova të mirëfillta po si indicie që na shërbejnë për të gjetur provat. Ne nuk kemi qenë të shurdhët dhe të verbër nga vendimet e vetingut edhe për raste kur nuk bëhen pjesë e hetimit tonë për shkak të veprën penale.

Kemi regjistruar me iniciativën tonë hetimet penale duke na shërbyer si indicie vetëm përmbajtja e vendimit të vetingut, janë çështje që i kemi në hetim, por jemi të kujdesshëm dhe përpiqemi që pasona të caktuar në SPAK të bëjnë një filtrim të vendimeve të vetingut me qëllim që në rast se nga vetë përmbajtja krijohen indicie se mund të jemi para veprës së korrupsionit. Ne kemi regjistruar procese penale për korrupsion pasiv për prokurorë e gjyqtarë. Kemi një numër të madh çështjesh penale sa i përket hetimit të tyre”, u shpreh Dumani.

Ligji antimafia

Ky ligj, synon sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive që dyshohet se janë përfituar nga veprimtari të paligjshme si trafiku i drogës, korrupsioni, krimi i organizuar, apo pastrimi i parave. Pasuria mund të konfiskohet edhe nëse individi nuk është dënuar penalisht, për sa kohë që nuk mund të justifikojë burimin e ligjshëm të saj. Përfshihen individë të përfshirë në krime të organizuara, zyrtarë të korruptuar, dhe persona të lidhur me ta, si familjarë ose bashkëpunëtorë të afërt.

Pasuritë e sekuestruara mund të kalojnë në përdorim publik ose të shiten, duke u kthyer në burime për shtetin dhe shoqërinë. Hetimet kryhen nga organet ligjzbatuese si Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Policia e Shtetit, dhe Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Mesazhi për institucionet shtetërore

Nga ana tjetër, Dumani është shprehur gjithashtu se Institucionet shtetërore që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit duhet të denoncojnë rastet në SPAK. Gjatë kësaj tryeze, Altin Dumani ka nxitur institucionet shtetërore që të tregohen në lartësinë e duhur dhe të furnizojnë SPAK-un me informacione dhe kallëzime.

Në apelin e tij, kreu i SPAK i është drejtuar dhe qytetarëve të cilëve u ka kërkuar që të bëjnë denoncime për çdo akt korruptiv që kanë dijeni. “Secili institucion duhet te përmbushe detyrimet e veta. Thirrje qytetareve të denoncojnë çdo akt korruptiv në SPAK. Institucionet përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit të jenë në lartësinë e duhur, te furnizojmë SPAK me informacione apo kallëzime”, është shprehur Altin Dumani.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related