Pse pensionistët janë varfëruar në 15 vitet e fundit dhe si do të funksionojë bonusi i pranverës për të moshuarit…

Data

Qeveria premtoi se do të ketë një bonus të dytë në pranverën e vitit të ardhshëm. Kryeministri tha se ai do të jetë i përhershëm njësoj si bonusi i fundvitit, por ai do të jetë i lidhur me zhvillimin ekonomik. Ndërkohë opozita është e mendimit se ky bonus premtohet vetëm për zgjedhjet parlamentare dhe nuk ka mundësi për tu dhënë në vitet në vijim. Olta Manjani gjatë një interviste për emisioni “E-ZONE” dha disa shpjegime se si do të funksionojë ky bonus. “Ky bonus nuk ka lidhje me zgjedhjet, por ka lidhje me performancën ekonomike. Ne do të hapim një llogari në bankën e Shqipërisë, e cila do të funksionojë vetëm për këtë bonus. Çdo rritje shtesë e të ardhurave që do të gjenerojmë përtej parashikimeve do të kalojnë në këtë fond special dhe më pas do të shpërndahet për pensionistët”, tha Manjani për Vizion Plus.

Por sa mund të jetë ky bonus që do të jepet në pranverë? “Është ende herët për të përcaktuar masën e tij. Do të shohim ecurinë ekonomike. Do të shohim dhe ecurinë e inflacionit pasi do të aplikojnë edhe indeksimin e pensionistëve. Qëllimi i bonuseve është që të mbështesim pikërisht atë shtresë të pensionistëve, që marrin pensione të ulëta poshtë nivelit mesatar”, shpjegoi zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani. Ndërkohë shifrat e bonusit të këtij fundviti duket se do të aplikohen edhe në vitet e tjera në të njëjtin nivel. Indeksimi dhe bonuset duket se do të jenë forma e mbështetjes për pensionistët për periudhën në vazhdim.

Varfërimi i pensionistëve

Albert Gajo, ekspert ekonomie, është i mendimit se kategoria e pensionistëve është varfëruar në këto 15 vitet e fundit dhe se kjo shtresë e popullsisë është ajo që nuk ka përfituar sa duhet. Gjatë një interviste për emisionin “E-ZONE” z. Gajo shpjegon se edhe pse ka një rritje ekonomike në vitet e fundit, pensionistët vetëm janë indeksuar, por sipas tij edhe indeksimi nuk ka reflektuar rritjen reale të çmimeve. “Nuk ka një lidhje ndërmjet rritjes ekonomike dhe indeksimit. Pavarësisht se është një detyrim ligjor i qeverisë që të indeksojë pensionet me inflacionin dhe përgjithësisht ka qenë korrekte…por inflacioni nuk pasqyron pikërisht atë shportë shpenzimesh në të cilën pensionistët kryejnë këto lloj shpenzimesh.

Në indeksin e inflacionit merren parasysh të gjitha llojet e çmimeve, të cilat jo gjithmonë pensionistët konsumojnë. Për shembull në turizëm, materiale ndërtimi, etj. Shtresa e pensionistëve konsumon kryesisht ushqime të cilat në përgjithësi janë rritur 3-4 herë më shumë se pjesa tjetër e nivelit të çmimeve dhe praktikisht në nivelin e të ardhurave të tyre indeksi i pensionit nuk ka ndikuar në përmirësimin ose në ruajtjen e fuqisë blerëse të parave që marrin pensionistët. Kështu që në këto 10-15 vitet e fundit shtresa e pensionistëve është varfëruar në terma relativë, për ato mallra dhe shërbime që ato konsumojnë, me çmime shumë herë më të larta se ç’kanë qenë 10 apo 15 vjet më parë”, sqaroi eksperti

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related