Siguria e Gjermanisë nuk ka prioritet për Trump/ Presidenti i SHBA kërkon nga Europa investime më të mëdha për ushtrinë

Data

Donald Trump do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Ai kërkon nga Europa investime më të mëdha për ushtrinë. Veçanërisht për Gjermaninë mund të nisin kohë të vështira në aspektin e politikës së sigurisë. Qendrimi i paparashikueshëm i Donald Trump-it u krijon shqetësime të mëdha politikanëve gjermanë. A do të shprehë ai sërish kritika të ashpra ndaj Gjermanisë, ashtu si edhe gjatë mandatit të tij të parë presidencial? A do të ankohet ai kundër NATO-s, e veçanërisht kundër partnerëve të tij europianë, apo madje mos vallë do të kërcënojë me daljen e vendit të tij nga aleanca?

Të gjitha këto është e vështirë të parashikohen – dhe në Berlin kjo krijon një lloj shqetësimi. Kur ministrja e Jashtme Annalena Baerbock pas fitores në zgjedhje i ofroi Trump-it “partneritet dhe miqësi”, në të përfshihej edhe dëshira për besueshmëri në kohë të vështira.

Për Gjermaninë NATO është e domosdoshme

Që marrëdhëniet gjermano-amerikane qendrojnë mbi një bazament solid, për këtë askush nuk ka dyshim në asnjërën anë të Atlantikut. Presidenti demokrat, Joe Biden e ka theksuar shpesh, që SHBA në rast të një sulmi “do të mbrojnë çdo centimetër të territorit të NATO-s”. Për anëtarët europianë të NATO-s kjo ka qenë një garanci qetësuese. Në rast konflikti Gjermania me ushtrinë e saj, Bundeswehr, me rreth 180.000 ushtare dhe ushtarë dhe e armatosur jo mjaftueshëm do të ishte në varësi të mbrojtjes elementare nga aleanca mbrojtëse.

Por nën republikanin Donald Trump do të vijë një erë e re krejt ndryshe sa në kohën e transatlantikasit të bindur Biden. Jo vetëm, që Europa në botëkuptimin gjeopolitik të Trump-it luan një rol sekondar, shumë pas Kinës dhe rajonit të Indo-Paqësorit, por Trump e konsideron edhe mbrojtjen e Europës si një detyrë primare europiane, e jo amerikane.

Europa duhet të investojë më shumë për sigurinë e saj

Aktualisht SHBA paguan pjesën më të madhe në NATO dhe vë në dispozicion numrin më të madh të ushtarëve si dhe aftësitë thelbësore për zbulimin dhe logjistikën. Trump, që shpesh e ka cilësuar si shumë të kushtueshme për SHBA-në anëtarësinë në NATO-s, mund ta kufizojë ndjeshëm këtë angazhim.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, socialdemokrati Boris Pistorius reagoi menjëherë: “Ne europianët duhet të bëjmë më shumë për sigurinë tonë. Ne duhet të arrijmë të realizojmë një “burden sharing” (ndarjen korrekte të barrës)”, deklaroi ai pas fitores së Trump – duke u bërë thirrje kolegëve të tij nga Franca, Polonia, Britania e Madhe dhe Italia që të konsultohen për aftësitë mbrojtëse të Europës.

Për ta përmirësuar këtë pas fitores së Trump duket sot më emergjente se kurrë më parë – dhe Gjermania mund të luajë një rol drejtues në këtë drejtim. Por pikërisht tani Gjermania ndodhet në një krizë qeveritare, që po çon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 23 shkurt. Prej kohësh ekspertët e sigurisë kërkojnë, që Europa duhet të jetë në gjendje pa SHBA-në që të realizojë operacione ushtarake.

 

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related