Jo vetëm Roma por edhe shumë vende të tjera po shikojnë me interesim të madh drejt Luksemburgut. Në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë filloi të martën (25.02.) procesi lidhur me kampet italianetë ndërtuara në Shqipëri, për vendosjen e azilkërkuesve nga vende të tjera.
Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen ka rekomanduar shprehimisht që vendet e tjera të mësojnë nga përvoja e Italisë me Shqipërinë. Pas samitit të BE-së në mes të tetorit, ajo deklaroi: “Ideja e zhvillimit të qendrave të kthimit jashtë Bashkimit Evropian nuk është e parëndësishme, por duhet të diskutohet”.
BE-ja dëshiron të kufizojë numrin e azilkërkuesve. Presioni politik mbi qeveritë e këtyre vendeve për largimin e migrantëve që nuk kanë të drejtë azili është rritur. Deri tani, sipas von der Leyen, vetëm një e pesta e tyre janë kthyer. Ndërsa me kampe si ai në Shqipëri, BE-ja mund të zhvendosë të paktën pjesërisht problemet e saj në vende jashtë territorit të BE. Komisioni planifikon të propozojë një ligj të ri për këtë çështje muajin e ardhshëm.

Qendrat e dëbimit jashtë kufijve të BE-së?
Komisioneri i Brendshëm i BE, Magnus Brunner ka folur për qendra të kthimit si një model. Ai e kupton konceptin “vetëm si një model për njerëzit të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil dhe që duhet të largohen nga vendi”.
