Shqipëria mirëpriti dje për herë të parë takimin e Ballkanit Perëndimor për Partneritetin e Qeverisjes së Hapur. Ministrat që udhëheqin agjendën për qeverisjen e hapur në vendet e rajonit, ndanë përvojat dhe prioritetet e tyre në këtë agjendë. Mes të tjerash, Ministrat diskutuan për ndërtimin e një strategjie të përbashkët për përballimin e sfidave rajonale në drejtim të qeverisjes së hapur dhe transparente. Ndërkohë në fjalën e saj, ministrja Pirdeni theksoi se ky takim është një dëshmi e përkushtimit të Shqipërisë për të zbatuar reformat dhe për të përforcuar transparencë dhe llogaridhënien në sektorin publik. “Me çdo Plan Kombëtar Veprimi, përfshirë planin tonë të gjashtë aktual, ne kemi vendosur synime ambicioze që na shtyjnë drejt një qeverie që nuk është vetëm transparente në fjalë, por edhe llogaridhënëse në veprime.
Ky plan i gjashtë veprimi është pjesë integrale e Udhërrëfyesit tonë më të gjerë për vitin 2030, një vizion që harmonizohet me rrugëtimin tonë të integrimit në BE, duke e drejtuar Shqipërinë drejt një qeverisjeje moderne, digjitale dhe me fokus qytetarin. Teksa integrimi në BE dhe agjenda për qeverisje të hapur janë shtylla të veçanta, ato janë thellësisht të ndërlidhura. Angazhimet tona për qeverisjen e hapur thellojnë përafrimin tonë me standardet e BE-së, ndërsa aspiratat për anëtarësim në BE ushqejnë rrugëtimin tonë drejt një qeverisjeje vërtet të hapur. Ky angazhim i dyfishtë përforcohet edhe nga prania e Delegacionit të Bashkimit Evropian sot në këtë diskutim, si një partner i çmuar, mbështetja e të cilit forcon përpjekjet tona për të gjeruar praktikat e qeverisjes së hapur jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin Perëndimor,” tha ministrja Pirdeni.
