Përkthimi në pesë gjuhë i poezive të Dritëro Agollit solli dhe takimin e përkthyeseve, studiuesve dhe redaktorëve për procesin e përkthimit. Në ambientet e Qendrës së Botimeve për Diasporën u zhvillua takimi mes përkthyesve dhe redaktorëve letrarë (pedagogë pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës), të angazhuar në projektin e përkthimit në pesë gjuhë të poezive të tij. Të pranishëm në këtë takim ishin përkthyesit: Manjola Nasi, Evelyne Noygues, Loreta Shillock, Griselda Doka dhe redaktorët: Rudina Xhillari, Mirela Papa, Marsela Likaj dhe Lorena Dedja. Qendra e Botimeve për Diasporën shprehet se përkthyesit, redaktorët dhe studiuesit diskutuan së bashku për rolin e redaktorit në përkthim dhe marrëdhënien që krijohet mes tij dhe përkthyesit, bashkëpunimi i ndërsjellë i të cilëve shërben në arritjen e një teksti sa më të përsosur në përkthim; për procesin e përkthimit, sfidave që lidhen me stilin, gjuhën e autorit dhe me përcjelljen e frymës së kohës në të cilën janë shkruar. Për këtë takim, Qendra e Botimeve për Diasporën njofton se lidhur me sfidat e përkthimit të poezisë së Dritëroit, u theksua në veçanti vështirësia në ruajtjen e drejtpeshimit mes thjeshtësisë së gjuhës dhe kompleksitetit të përmbajtjes, të përcjelljes së kontekstit specifik shqiptar për një lexues të huaj, të ruajtjes së nuancave të humorit dhe ironisë, apo të ritmit dhe rimës. “Si dhe të referencave kulturore, elementeve të folklorit apo simbolikave të ngulitura në traditën shqiptare”, thuhet nga kjo qendër.
Roli i përkthyesit
Pas takimit të parë të mirëseardhjes së përkthyesve pjesëmarrës në rezidencën “Fan Noli”, u zhvillua dhe ky takim i radhës në ambientet e QBD, për procesin e përkthimit të poezive të shkrimtarit Dritëro Agolli. Takimi u vlerësua gjithashtu si një mundësi e mirë për të vënë në pah rëndësinë e rolit specifik të përkthyesit nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj, si dhe të politikave mbështetëse të nevojshme për këtë kategori. Përkthyesit pjesëmarrës për 52 ditë në rezidencën “Fan Noli” të Qendrës së Botimeve për Diasporën janë: Rigels Halili nga Polonia, Eleana Zhako nga Belgjika, Griselda Doka nga Italia, Loreta Shillcok nga Gjermania dhe Evelyne Noygues nga Franca. Gjatë kësaj periudhe përkthyesit në rezidencë në bashkëpunim me redaktorët letrarë do të përmbyllin projektin e përkthimit në 5 gjuhë të përmbledhjes me poezi nga shkrimtari i mirënjohur Dritëro Agolli. Projekti i rezidencës së përthyesve është fitues i programit “Kultura Lëviz Evropën”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Instituti “Gëte”. Dritëro Agolli (Menkulas, 13 tetor 1931 – Tiranë, 3 shkurt 2017) ishte poet, prozator, publicist dhe politikan shqiptar. Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash, etj. Agolli është fitues i disa çmimeve dhe i nderimeve të tjera. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në gjuhë të huaja. Misioni i Qendrës së Botimeve për Diasporën është mbështetja e mësimit të gjuhës shqipe, njohja dhe përhapja e kulturës kombëtare në diasporë përmes botimit të teksteve shkollore, botimit të librave me përmbajtje letrare, historike, sociale, etj. si dhe organizimi dhe mbështetja e veprimtarive edukative, kulturore dhe sociale, që kanë për qëllim ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kombëtar
