Banorët e fshatit Kurdari, në Bashkinë e Klosit, kanë dalë në protestë kundër ndërtimit të një hidrocentrali në përroin e Luses, duke kundërshtuar vazhdimin e punimeve në zonë.
Gjatë protestës, banorët kanë larguar mjetet e kompanisë që po punonte për ndërtimin e HEC-it, duke kërkuar ndalimin e projektit.
Sipas tyre, ndërtimi i hidrocentralit rrezikon burimet ujore të zonës dhe mund të ndikojë drejtpërdrejt në jetesën e banorëve të fshatit.
Banorët shprehen se prej rreth tetë muajsh po protestojnë kundër projektit dhe se nuk do të lejojnë vazhdimin e punimeve.
“Po na marrin burimin e ujit dhe po na detyrojnë të largohemi nga fshati”, shprehen ata.
Nga ana tjetër, përfaqësues të kompanisë kanë deklaruar se projekti është realizuar në përputhje me procedurat ligjore dhe se disponojnë dokumentacionin e nevojshëm për ndërtimin e hidrocentralit.
Në vendngjarje kanë mbërritur edhe forcat e policisë, të cilat po monitorojnë situatën për të shmangur përshkallëzimin e protestës.
