Deputeti i Partisë Socialiste në Durrës, Jurgis Çyrbja, ishte vendosur në listën e kandidatëve të PS për zgjedhjet Parlamentare të Prillit 2021, duke lobuar 4 grupe kriminale që veprojnë në Durrës dhe Shijak.
Në dosjen hetimore që “Ora News” e ka siguruar, jepet një tablo e qartë se si grupet me të forta kriminale në Durrës, kanë lidhje deri lart, duke arritur të përcaktojnë dhe emrat e kandidatëve fitues në Zgjedhjet Parlamentare të Republikës së Shqipërisë.
Një realitet i dhimbshëm, por në fakt kjo situatë është provuar përmes bisedave të zhvilluara në aplikacionin “Sky”, komunikime këto që tashmë kanë rënë në dorë të prokurorisë së posaçme SPAK.
Rasti i deputetit të PS-së, Jurgis Çyrbja, është zbuluar nga prokurori i SPAK, Adnand Xholi, i cili në kuadër të hetimeve që po kryen për trafik droge ndaj grupit të Altin Hajrit dhe Plaurent Dervishaj në Durrës, ka zbuluar dhe protagonizmin e deputetit të PS, Çyrbja në veprimtari kriminale.
Deputeti Çyrbja shfaqet protagonist në disa episode kriminale, pasi rezulton përdoruesi i kodit “BFLSII”, i cili nga komunikuesit e tjerë thirret vetëm “J”, “Jur” dhe “Juri”.
