Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin u tha trupave të ushtrisë në një mesazh që u bë publik të enjten se Pentagoni është i përkushtuar për një tranzicion të rregullt tek administrata e ardhshme e Presidentit të zgjedhur Donald Trump dhe se ushtria nuk do të përfshihej në politikë dhe ishte e gatshme të zbatonte “të gjitha urdhrat e ligjshme.”
Zoti Trump u zgjodh president të martën, duke realizuar një rikthim të jashtëzakonshëm katër vjet pasi humbi ndaj Presidentit Joe Biden dhe duke sjellë një udhëheqje të re amerikane që ka të ngjarë të vërë në provë qëndrueshmërinë e institucioneve demokratike brenda vendit dhe marrëdhëniet jashtë vendit.
Gjatë një interviste muajin e kaluar, zoti Trump u pyet nëse priste “kaos” në ditën e zgjedhjeve dhe ai u duk sikur la të kuptohej se ushtria mund të përdorej kundër qytetarëve që e kundërshtojnë atë.
Në një medazh për trupat amerikane që u dërgua të mërkurën mbrëma dhe u lëshua publikisht të enjten, Sekretari Austin tha se “ushtria amerikane gjithashtu do të vazhdojë të qëndrojë e shkëputur nga arena politike; të vazhdojë rolin e saj për të mbrojtur republikën tonë me parime dhe profesionalizëm; dhe të qëndrojë në krah të aleatëve dhe partnerëve të çmuar që përforcojnë sigurinë tonë”.
Duke folur me gazetarët më vonë të mërkurën në Miami, zoti Austin tha se besonte se udhëheqësit e lartë të Pentagonit do të vazhdojnë të bëjnë gjënë e duhur.
