Deputetët demokratë, të cilëve iu mbyll dera e Kuvendit pas kaosit të krijuar në seancën plenare, në fund shtatorit mund të rikthehen pa pengesa në tryezat e punës. Gjykata Administrative rrëzoi Kuvendin duke anuluar masat ndëshkimore nga 10 ditë deri në dy muaj, për 24 demokratët rebelë, të cilët i vunë flakën karrigeve të tyre dhe u përplasën me gardën si brenda dhe jashtë dyerve të seancës plenare. Gjykata vlerëson se tre deputetë, Gazment Bardhi, Flamur Noka dhe Bledion Nallbati, për aktet e kryera në Kuvend duhet të ishin ndëshkuar jo me 60 ditë por me 10 ditë, duke vlerësuar se ndëshkimi i tyre duhet të kishte përfunduar me 13 tetor, ndërsa deputet e tjerë, të cilët kishin një masë ndëshkimore që varionte nga 10 deri në 40 ditë duhet të dënoheshin vetëm me 5 ditë dhe duhet të riktheheshin në punë në datën 8 tetor
Megjithëse masat ndëshkimore ishin drejt përfundimit, me këtë vendim përjashtimet quhen të ezauruara dhe demokratët ato mund të kalojnë pragun e Parlamentit pa pengesa duke nisur nga seanca e sotme plenare. Më 18 tetor demokratët trokitën në derën e Gjykatës Administrative duke paditur Kuvendin e Shqipërisë për ndëshkime që binin ndesh me Kushtetutën dhe Rregulloren e rrëzuar edhe nga Gjykata Kushtetuese, pasi Parlamenti kishin refuzuar kërkesën e tyre për anulimin e masave. Vendimi i Gjykatës Administrative megjithëse aplikohet menjëherë, ekzekutohet menjëherë, është i apelueshëm dhe Kuvendi ka të drejtën ta kundërshtojë. Ndërkohë kujtojmë se deputetët e opozitës ishin përjashtuar pas seancës plenare të 30 shtatorit, pasi dogjën karriget në oborrin e parlamentit.
Reagon Bardhi
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar dje në rrjetet sociale, pasi Gjykata Administrative vendosi të shfuqizojë vendimin e Sekretariatit të Etikës për përjashtimin e deputetëve demokratë me nga 60 dhe 40 ditë nga punimet e Kuvendit. Bardhi e ka quajtur një dënim pa ligj të opozitës, duke theksuar se vendimi i Gjykatës Administrative; “provon drejtësinë e betejës së deputetëve të PD për të kthyer kushtetutshmërinë dhe rregullin në veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë”.
“Dënimi PA LIGJ i opozitës, konfirmuar sot edhe nga Gjykata, provon drejtësinë e betejës së deputetëve të PD për të kthyer kushtetutshmërinë dhe rregullin në veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë. Për fat të keq, nën drejtimin e Elisa Spiropalit, Kuvendi është kthyer si asnjëherë më parë në një çerdhe paligjshmërie, ku vepron forca e arrogancës dhe shkelja brutale e Kushtetutës. Rrethimi i Kuvendit me tela hekuri dhe me qindra Forca Sigurie, për të penguar 24 deputetë të opozitës, në shkelje të Kushtetutës dhe Ligjit, të ushtrojnë detyrën e tyre, është i denjë vetëm për regjimet autoritare dhe kurrësesi për një vend anëtar të NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Europian.
Ne presim me padurim që ti vijë zëri për të dënuar aktin antikushtetuese, kujtdo që fajësonte me pa të drejtë opozitën dhe i kërkonte asaj që të luante rolin e vet brenda Kuvendit, ndërkohë që e vërteta ishte që opozita po pengohej me dënime PA LIGJ, me tela hekuri dhe Forca Sigurie, që të futej në Kuvend. Është rasti i parë në histori që deputetët e opozitës dënohen me një rregullore që e kishte shfuqizuar Gjykata Kushtetuese, duke injoruar vendimin e saj për t’i konsideruar masat e përjashtimit si jo proporcionale. Ata që PA LIGJ penguan me Forca Sigurie për rreth 40 ditë deputetët e opozitës të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues do të mbahen përgjegjës”, shkroi dje Bardhi.
