Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi dje të ulë me 0,5% normën bazë të interesit për lekun, duke e çuar këtë tregues në nivelin 2,75%. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në konferencën për shtyp theksoi ditën e djeshme se, “Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që të ulë normën bazë të interesit, nga niveli 3% në nivelin 2,75%; normën e interesit të depozitës njëditore, nga niveli 2% në nivelin 1,75% dhe normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 4% në nivelin 3,75%”. Sejko theksoi se, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se kjo lëvizje do të krijojë kushte monetare më të përshtatshme për të kontrolluar ndikimin që goditjet afatshkurtra të ofertës mund të kenë mbi inflacionin në të ardhmen.
“Vendimi ilustron gatishmërinë e Këshillit Mbikëqyrës për të reaguar në kohën e duhur dhe në mënyrë simetrike ndaj lëvizjeve të inflacionit në kahun e sipërm dhe të poshtëm të objektivit”, tha ai. Guvernatori u shpreh se, inflacioni po afrohet në afatmesëm gradualisht drejt objektivit të BSH-së në nivelin 3%. Ndaj në këtë kontest, theksoi ai, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të vijojnë të kushtëzohen nga informacioni i ri, dhe në veçanti nga analizat dhe vlerësimet mbi ecurinë e presioneve të brendshme inflacioniste.
“Këto vendime do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve, si dhe konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit”, deklaroi Sejko. Ndërkohë theksojmë se ulja e normës bazë të interesit, pritet të reflektohet edhe në norma më të ulta interesi për kreditë e reja që do të japin bankat e nivelit të dytë. Po ashtu një lehtësim i tillë e bën më të ‘lirë’ LEKU-n përballë valutave pasi shtohet paraja në qarkullim. Kjo masë pritet të ndikojë në kursin e këmbimit, forcuar lehtë euron apo dollarin përballë monedhës kombëtare.
Detajet
Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:
të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, nga niveli 3% në nivelin 2.75%;
të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën e interesit të depozitës njëditore, nga niveli 2% në nivelin 1.75%;
të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 4% në nivelin 3.75%.
Këshilli Mbikëqyrës gjykon se kjo lëvizje do të krijojë kushte monetare më të përshtatshme për të kontrolluar ndikimin që goditjet afatshkurtra të ofertës mund të kenë mbi inflacionin në të ardhmen. Ajo ilustron gatishmërinë e Këshillit Mbikëqyrës për të reaguar në kohën e duhur dhe në mënyrë simetrike ndaj lëvizjeve të inflacionit në kahun e sipërm dhe të poshtëm të objektivit, si dhe është konsistente me komunikimet tona të mëparshme për të ndjekur një politikë monetare të udhëhequr nga informacioni i ri. Këshilli Mbikëqyrës vëren se balanca e përgjithshme e presioneve afatmesme po afrohet gradualisht drejt objektivit tonë të inflacionit në afatin e mesëm. Në këtë kontest, ai thekson se vendimet e ardhshme të politikës monetare do të vijojnë të kushtëzohen nga informacioni i ri, dhe në veçanti nga analizat dhe vlerësimet mbi ecurinë e presioneve të brendshme inflacioniste. Këto vendime do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve, si dhe konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit.
Situata ekonomike
Më tej guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, theksoi se ekonomia shqiptare dhe treguesit kryesorë të stabilitetit ekonomik, monetar e financiar të saj, sipas tij, janë në një trend pozitiv zhvillimi. Ndër të tjera në konferencën për mediet, ai theksoi se, “aktiviteti ekonomik ka pasur një rritje solide gjatë tre tremujorëve të parë të vitit, inflacioni është në nivele të ulëta, borxhi publik dhe ai i huaj kanë shënuar rënie, bilancet e sektorit bankar mbeten të shëndetshme, ndërsa kreditimi po shfaq një rritje progresive”. Po ashtu, guvernatori vuri në dukje se, sipas INSTAT, ekonomia shqiptare u rrit me 4% gjatë gjysmës së parë të vitit.
