“I dërguam mesazh Iranit që të frenohet”- Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri: Ata kanë aleanca me organizata terroriste! Ne nuk duam luftë, objektivi i qeverisë është…

Data

Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg thotë se sulmet kundër Iranit nuk janë hakmarrje. Sipas saj Izraeli ka qenë e detyruar që të reagonte, për t’i dërguar një mesazh Iranit që të frenohet.

Peleg tha se synimi ka qenë që të godisnin për të dëmtuar kapacitetet raketore, të raketave balistike të Iranit.

Ambasadorja u shpreh se nuk po sulmojnë civilet, por ata që qëndrojnë pas masakrave. “Ne mund t’i gjejmë ata dhe mund t’i eliminojmë”, tha ambasadorja.

“Ne po përpiqemi të arrijmë tek ata që qëndrojnë pas këtyre sulmeve terroriste, ata që qëndrojnë pas masakrës dhe ata duhet të paguajnë. Dhe gjithashtu është një mesazh i fortë për organizatën e tyre dhe për ata që i dërgojnë, se ne mund t’i gjejmë dhe mund t’i eliminojmë”, u shpreh Galit Peleg.

Pjese nga intervista

Izraeli ndërmori sulme të drejtpërdrejta kundër Iranit të shtunën e kaluar, si një hakmarrje e një rëndësie të veçantë ndaj breshërisë së raketave balistike që Teherani lëshoi ndaj Izralit në fillim të tetorit. Katër anëtarë të ushtrisë iraniane u vranë në këtë sulm, sipas raportimeve të mediave shtetërore, kurse Teherani deklaroi më pas se rezervon “të drejtën” të mbrohet. Megjithatë, Irani e minimizoi sulmin në përgjithësi, duke raportuar dëme të kufizuara në baza ushtarake. Udhëheqësit botërorë po i bëjnë tani thirrje të dyja palëve që të shmangin një luftë më të gjerë rajonale. Cilat janë opsionet ushtarake kundër Iranit?

Ambasadorja Galit Peleg – Faleminderit për këtë pyetje. Para së gjithash, kjo nuk ishte një hakmarrje. Më lejoni t’i vendos gjërat në perspektivë. Kjo është hera e dytë që Irani po sulmon drejtpërdrejt Izraelin, qytetarët e Izraelit. Kishim një sulm me raketa në prill, dhe tani kishim një sulm të dytë me raketa në Izrael, pa dallim. Izraeli duhet të reagonte. Tani, ne i dërguam mesazh Iranit që të frenohet në sulmet e tij ndaj Izraelit. Nuk është kjo mënyra e vetme që ata po sulmojnë Izraelin. Ne e dimë që ata kanë aleanca me organizata terroriste përreth Izraelit. Por kjo ishte hera e dytë që Irani e sulmoi Izraelin drejtpërdrejt, dhe Izraeli duhej të përgjigjej për të dërguar një mesazh. Sigurisht, sulmi ndaj Iranit nuk reflekton të gjitha kapacitetet e Izraelit. Ne mund të shkaktojmë shumë më tepër dëme. Por ishte sa për të dërguar një mesazh, pikësëpari. Së dyti, ne shënjestruam disa nga objektivat strategjikë në Iran. Pra ideja me të vërtetë ishte të godisnim disa site strategjikisht të rëndësishme për të dëmtuar kapacitetet raketore, të raketave balistike të Iranit, dhe kryesisht për të dërguar një mesazh. Dhe mendoj se mesazhi ishte shumë i qartë. Tani, sa i përket qëllimeve të Izraelit, ne nuk kemi dëshirë të fillojmë një luftë me Iranin. Por mendoj se ata duhet ta kuptojnë se Izraeli është në gjendje të reagojë. Dhe mendoj se përderisa ishte e qartë që ky sulm ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara, mesazhi nuk vjen vetëm nga Izraeli. Pra që Irani të frenojë agresivitetin e sulmit të tij në rajonin tonë dhe të mos e sulmojë më Izraelin.

Zonja ambasadore, meqë po flisni për mesazhe, vrasjet e shënjestruara të Ismail Haniyeh në Teheran, – dhe kjo ishte arsyeja e parë pse Irani sulmoi Izraelin, kujtoj që Ismail Haniyeh ishte lider i politik i Hamas, Yahya Sinëar në Rripin e Gazës, Hasan Nasrallah i Hezbollah në Liban, shpërthimet në distancë të pagers-ve dhe radiomarrëseve të militantëve të Hezbollah, të gjitha këto kanë dëshmuar aftësi operacionale të shërbimeve të inteligjencës izraelite për të gjurmuar, zbuluar dhe eliminuar kundërshtarë të rrezikshëm në operacione të komplikuara. Cili është mesazhi që dëshironi të jepni?

Ambasadorja Galit Peleg – Të gjithë emrat që ju përmendët, Haniyeh, Sinëar, Nasrallah, këta janë vrasës në masë. Këta janë njerëzit që qëndrojnë pas masakrës së tmerrshme që ndodhi në Izrael më 7 tetor 2023. Këta janë njerëzit që vrisnin civilë pa hezitim. Dhe ata ishin udhëheqësit e disa organizatave shumë të forta terroriste në rajonin tonë. Dhe mesazhi është se nëse Izraeli dëshiron t’ju eliminojë, mund t’ju gjejë. Pra, mos u ngatërroni me ne. Fakti që këto organizata po sulmojnë civilët në Izrael është diçka që duhet të jetë shumë, shumë e qartë, jo vetëm për ta, por për të gjithë botën, se ne nuk po përpiqemi të sulmojmë civilët. Ne po përpiqemi të arrijmë tek ata që qëndrojnë pas këtyre sulmeve terroriste, ata që qëndrojnë pas masakrës dhe ata duhet të paguajnë. Dhe gjithashtu është një mesazh i fortë për organizatën e tyre dhe për ata që i dërgojnë, se ne mund t’i gjejmë dhe mund t’i eliminojmë.

Ju e keni bërë, – kur them “ju”, kam parasysh shtetin e Izraelit, – që e ka bërë këtë gjë me organizatën e “Shtatorit të Zi” pas masakrës së Mynihut në vitin 1972, ku humbën jetën 11 anëtarë të ekipit olimpik izraelit, e keni bërë në 2008 në bashkëpunim Mossad-CIA me Imad Mughniyeh, i ashtuquajturi “Fantzma e Bejrutit”. Pyetja që kam është, çfarë fati e prej liderin e ri të Hebollah, Naim Qassem?

Ambasadorja Galit Peleg – Nuk e di. Personalisht, shpresoj t’i bashkohet paraardhësve të vet. Por nuk mund ta them. E vetmja gjë që unë mendoj se ai duhet të dijë, është që ne po e vëzhgojmë. Pra, nëse planifikon të sulmojë Izraelin, ka për ta paguar!

Ok. Rikthehemi te objektivat strategjike afatgjata ndaj Iranit, duke marrë parasysh marrëdhëniet e tij me Rusinë dhe Kinën, apo edhe Korenë e Veriut, po të doni. Po lexoja në britaniken “The Telegraph” se Izraeli ndoshta me sulmin ndaj Iranit mund të ketë dëmtuar aftësitë e Iranit për t’i dhënë raketa balistike Rusisë. Pra gjërat janë të ndërlidhura. Ndaj ju pyes për objektivin strategjik kundër Iranit. Ju thatë “ne nuk duam luftë”.

Ambasadorja Galit Peleg – Është e vërtetë që ne nuk duam luftë. Ne nuk duam luftë në rajonin tonë. Ne përfundimisht nuk duam të shkaktojmë një luftë rajonale dhe akoma më pak, siç disa njerëz po flasin, një luftë botërore. Kjo nuk është dëshira jonë. Objektivi i qeverisë izraelite është të garantojë siguri për civilët e Izraelit, për qytetarët e Izraelit. Dhe ne e dimë me siguri… dua të them, nuk shtrohet fare si çështje që Irani është koka e gjarprit në rajonin tonë. Ata po përpiqen prej kohësh të krijojnë paqëndrueshmëri. Regjimi radikal i Iranit po e thotë me zë të lartë se ata duan të eksportojnë revolucionin e tyre. E kanë thënë për shumë vite, për dekada. Dhe një nga mënyrat është mbështetja e organizatave terroriste në rajonin e Izraelit. Po flasim për Hamasin në Gaza. Po flasim për Hezbollahun në Liban. Pamë vitin e fundit mbështetjen e tyre për houthis në Jemen. Pamë papritmas raketa që vinin nga Jemeni në Izrael. Çfarë lloj konflikti ka Izraeli me Jemenin? Sigurisht që nuk kemi. Por ne jemi të sigurt se pas kësaj qëndron Irani. Ata po i furnizojmë me materiale dhe po i inkurajojnë të përfshihen në këtë rajon. Qëllimi ynë nuk është të krijojmë një konflikt tjetër me Iranin dhe as me aleatët e tij. Qëllimi ynë është të krijojmë një situatë sigurie. Nëse për këtë qëllim do të na duhet të sulmojmë aftësitë e Iranit, – dhe kjo është ajo që bëjmë, – nëse prek rajone të tjera të botës, atëherë ka për të qenë e vështirë.

Ju përmendët houthis në Jemen, është ajo që quhet luftë by proxy. Por kam një pyetje për kuriozitet: Çfarë mendon Izraeli për muxhahidinët iranianë në kampin e Manzës në Durrës? A i konsideroni ju ata, siç ata vetë pretendojnë, si një alternativë ndaj pushtetit të ajatollahëve?

Ambasadorja Galit Peleg – Nuk po hyj në vendimet e brendshme të Shqipërisë lidhur me muxhahedinët. Ne nuk kemi lidhje me muxhahedinët. Ata janë në opozitë me regjimin radikal në Iran. Por mendoj se populli iranian meriton diçka më të mirë se sa ajo që kanë tani. Ata do të meritonin një alternativë që t’u lejojë të jetojnë si të dëshirojnë. Shohim njerëz shumë të guximshëm në Iran që po protestojnë pavarësisht se e dinë se cili është fati i atyre që arrestohen. Ne po marrim shumë sinjale nga njerëzit në Iran dhe gjithashtu nga opozita iraniane në mbarë botën në drejtim të Izraelit. Ata nuk kanë pse e mbështesin Izraelin. Por ata duan një të ardhme tjetër për popullin e tyre. Dhe këtë ne e mbështesim! Çfarëdo që të jetë… çfarëdo që ata do të zgjedhin. Mendoj se do të donim të shihnim një Iran demokratik, ku njerëzit e tyre ta shijojnë jetën siç bëjmë ne.

 Nuk dua të jem cinik, por nga përgjigjja juaj po mendoj se fakti që keni njerëz që i dërgojnë nga Irani mesazhe Izraelit, kjo jua bën më të lehtë punën për të gjetur njerëz për të punuar për shërbimet tuaja të inteligjencës?

 

Ambasadorja Galit Peleg – Po flas për mesazhe të hapura, po flas për mediat sociale, po flas për mediat. Ne shohim mesazhe që vijnë nga shumë shumë vullnetarë.

E bëra këtë pyetje sepse historia e Ismail Haniyeh, i cili u eliminua në Teheran, ishte “inside job” nga shërbimet tuaja me njerëz brenda në Iran. Por rikthehemi të çështja. Në kohën e ndërhyrjes së policisë shqiptare brenda kampit në qershor 2023, mediat amerikane raportuan për negociata sekrete mes Amerikës dhe Iranit, që përfunduan në shtator me një shkëmbim të burgosurish, ndërsa Iranit iu dha gjithashtu akses në rreth 6 miliardë dollarë amerikanë, fonde që më parë ishin bllokuar në Korenë e Jugut. A është e mundur të bisedohet me Iranin, siç u bë gjatë negociatave të marrëveshjes bërthamore? Ndërkohë, dua të kujtoj se Shqipëria i ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin pas sulmit kibernetik.

Ambasadorja Galit Peleg – Mendoj se Kryeministri e bëri shumë të qartë në bisedat e tij si në Kongresin Amerikan, edhe në Kombet e Bashkuara, se pozita jonë ndaj regjimit radikal të Iranit tani është shumë e qartë. Ne nuk shohim negociata me këtë regjimin radikal. Ajo që do të donim të shihnim është që ky regjimi të ndalë agresionin e tij në rajonin tonë. Ky është shqetësimi kryesor i Izraelit. Ne nuk po futemi në vlerësimet e qeverisë amerikane. Ajo që do të donim të shihnim është që ky regjim të ndalet. Së pari, agresioni. Së dyti, zhvillimi i bombave bërthamore. Sepse ky lloj regjimi radikal me kapacitete bërthamore kërcënon jo vetëm Izraelin. Flasim për një kërcënim për të gjithë botën perëndimore. Shumë herë kemi ngritur këtë çështje të kombinimit të kapaciteteve bërthamore me raketat balistike me rreze të gjatë veprimi. Dhe nëse e bëni këtë kombinim, do të shihni se ata nuk po zhvillojnë raketa që të arrijnë Izraelin. Ata po zhvillojnë raketa që të mund të arrijnë Nju Jorkun dhe Uashingtonin. Pa përmendur Shqipërinë, Brukselin, Londrën, që janë brenda kësaj rrezeje veprimi. Pra, kjo nuk është një çështje izraelite, kjo është një çështje botërore. Dhe regjimi në Iran duhet të frenohet dhe të ndalet.

Duke ju dëgjuar juve, më duket sikur dëgjoj përsëri kryeministrin tuaj, siç ju e përmendët, në Kongresin amerikan, kur u tha kongresmenëve amerikanë: Ne, po bëjmë luftën tuaj! Duke qenë që ju pak më parë e konsideruat Iranin si “koka e gjarpërit”, thatë “jo negociata me atë regjim radikal”, pyetja është shumë e drejtëpërdrejtë: A jeni ju në favor të një ndryshimi të regjimit në Iran? A është e mundur kjo?

Ambasadorja Galit Peleg – Së pari, po! Përgjigjja është po. Ne do të donim të shihnim një ndryshim regjimi në Iran. Ajo që kemi tani është një regjim terrorist radikal. Irani është një vend shumë i rëndësishëm. Është një vend që ka potencialin të jetë partner me Perëndimin në energji, në ekonomi. Por ajo që shohim që nga koha e revolucionit në Iran, është radikalizimi dhe agresioni. Dhe jo vetëm në rajonin e tyre, por, siç thashë, edhe me aleatët e tyre, duke u përpjekur të krijojnë destabilotet në rajone të tjera të botës. Tani, nëse regjimi ndryshon dhe do të jetë në gjendje të krijojë një lloj bashkëpunimi me botën demokratike, sigurisht që ne do të donim ta shihnim atë.

Përgjigje shumë e sinqertë. Por nëse ju jeni për një ndryshim regjimi në Iran, sa larg mund të shkojë Izraeli në konfliktin në Lindjen e Afërt pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara, të cilat e kanë bërë të qartë se nuk do të marrin pjesë në sulme ajrore kundër Iranit? Dhe se, edhe në rast të sulmeve të ardhshme, Presidenti Biden ka inkurajuar Izraelin që t’i përcaktojë objektivat në mënyrë të atillë që të shmangë përshkallëzimin e mëtejshëm.

Ambasadorja Galit Peleg – Së pari, duhet të kujtojmë disa gjëra. Njëra është që çdo vend ka interesat e veta. Duhet të jemi realistë, por edhe duhet të punojmë bashkarisht. Pa dyshim që Shtetet e Bashkuara janë aleati ynë më i mirë, aleati ynë më i afërt, dhe ata janë shumë më të fuqishëm se Izraeli. Sulmi i fundit ndaj Iranit ishte i koordinuar me amerikanët. Sigurisht, duhet të marrim parasysh atë që amerikanët po kërkojnë në këmbim. Por gjithashtu, pamë se në mbrojtjen nga sulmet iraniane, kishim bashkëpunim me amerikanët. Mendoj se e dimë që një shumicë e raketave u kapën përpara se të binin në tokë, nga Kupola e Hekurt, nga sisteme të tjera, dhe jo vetëm nga Izraeli për më tepër, por edhe nga Jordania, nga Iraku. Rrugës për në Izrael disa nga këto raketat u interceptuan, jo vetëm në këtë sulm në tetor, por edhe në prill. Dhe ne nuk do të ishim në gjendje ta bënim këtë, pa aleatët tanë. Pra, është çështje e gjetjes së një terreni të përbashkët, kur synon të arrish një qëllim më të madh.

Pra, që ta kuptojmë, sa i varur është Izraeli nga Shtetet e Bashkuara për furnizimin me armë? Lexova këto ditë që edhe Serbia po i shet armë Izraelit.

Ambasadorja Galit Peleg- Bashkëpunimi i Izraelit me Shtetet e Bashkuara, edhe në këtë fushë, nuk filloi sot, nuk filloi gjatë kësaj lufte. Të gjithë e dinë që ne kemi një histori të gjatë, shumë të gjatë të bashkëpunimit me mbështetje amerikane. Gjithashtu, jo vetëm në aspektin e blerjeve, por edhe të kërkim-zhvillimit, kërkimit mbi armët, edhe Kupola e Hekurt ishte në bashkëpunim me… ok, ndoshta ishte një shpikje izraelite, por zhvillimi i këtij sistemi mbrojtës u bë me investimin dhe me ndihmën amerikane. Kështu që nuk është sekret që ne kemi një marrëdhënie afatgjatë me amerikanët edhe në këtë drejtim. Izraeli ka kapacitetet e tij, por kini parasysh që kjo është një luftë shumë e gjatë. Nuk mendoj se kemi pasur ndonjëherë një luftë që ka zgjatur më shumë se një vit. Dhe madje edhe kapacitetet e Izraelit në këtë drejtim dhe në këtë në këtë fushë, që janë mjaft mbresëlënëse për një vend të vogël, ne prapëseprapë kemi nevojë për bashkëpunimin me vendet e tjera. Dhe nuk mendoj se është një sekret që ne punojmë me amerikanët. Ne marrim mbështetje prej amerikanëve. Në Shtetet e Bashkuara ka zëra të ndryshëm, ky është vit zgjedhor, por nuk mendoj se ndihma ndaj Izraelit është një çështje që shtrohet për diskutim për administratën amerikane. Nuk është fare çështje.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related