Javën që vjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbahen zgjedhjet Presidenciale, ku në garë janë dy kandidatë, Donald Trump nga republikanët dhe Kamala Harris nga demokratët.
Por kë mbështet Izraeli në këtë gara? Ambasadorja izraelite në Shqipëri, Galit Peleg tha se nuk mund të vendosë vendi i saj se kush do të jetë president, por theksoi se me SHBA do të ndërtojnë marrëdhënie të forta.
E ftuar në emisionin “Log” në News24, diplomatja izraelite u shpreh se “preferenca duhet të jetë nga ata që mund të votojnë. Unë nuk jam qytetare amerikane”.
“Çdo kandidat ka avantazhet dhe disavantazhet e veta, por nuk vendosim ne se për kë të votojnë qytetarët amerikanë. Mendoj se me këdo që të zgjidhet, ne do të duhet të analizojmë dhe të ndërtojmë marrëdhënie më të forta dhe të vazhdojmë të punojmë me amerikanët sepse, siç e thashë, ata janë aleatët tanë më të mirë dhe aleatët tanë më të mëdhenj, dhe nuk vendosim ne për amerikanët se për kë të votojnë, siç presim të njëjtën gjë nga vendet e tjera që të mos vendosin për ne se për kë të votojmë”, tha ambasadorja.
Pjesë nga intervista
Ju thatë që është vit zgjedhor dhe javën tjetër kemi zgjedhjet. Situata në Lindjen e Mesme dhe mbështetja për Izraelin është një temë e ndjeshme në fushatën zgjedhore të SHBA-së. Kush do të ishte një President i mirë amerikan për Izraelin?
Ambasadorja Galit Peleg – Shikoni, mendoj se ne gjithmonë në marrëdhëniet tona kemi ruajtur një mbështetje bipartizane për Izraelin. Edhe sot, nëse shkoni në Kongresin Amerikan, shihni anëtarë të Kongresit si nga Partia Demokrate ashtu edhe nga Partia Republikane që mbështesin Izraelin. Çdo kandidat ka avantazhet dhe disavantazhet e veta, por nuk vendosim ne se për kë të votojnë qytetarët amerikanë. Mendoj se me këdo që të zgjidhet, ne do të duhet të analizojmë dhe të ndërtojmë marrëdhënie më të forta dhe të vazhdojmë të punojmë me amerikanët sepse, siç e thashë, ata janë aleatët tanë më të mirë dhe aleatët tanë më të mëdhenj, dhe nuk vendosim ne për amerikanët se për kë të votojnë, siç presim të njëjtën gjë nga vendet e tjera që të mos vendosin për ne se për kë të votojmë. Mendoj se çdo demokraci duhet ta shohë në këtë mënyrë.
Pra ju nuk keni preferenca?
Ambasadorja Galit Peleg – Preferenca duhet të jetë nga ata që mund të votojnë. Unë nuk jam qytetare amerikane.
Shkojmë në Europë. Çfarë mund të na thoni për përkeqësimin e marrëdhënieve me Kryeministrin Pedro Sanchez të Spanjës dhe Presidentin Macron të Francës? Përse kemi arritur në këtë pikë? Kujtoj që Presidenti Macron ka thënë, po e citoj: “Zoti Netanyahu nuk duhet të harrojë se vendi i tij u krijua nga një vendim i OKB-së”. Frazë ndaj së cilës kryeministri juaj u kundërpërgjigj, po citoj: “Një kujtesë për Presidentin e Francës: nuk ishte rezoluta e OKB-së që themeloi shtetin e Izraelit, por fitorja e arritur në Luftën e Pavarësisë me gjakun e luftëtarëve heroikë, shumë prej të cilëve ishin të mbijetuar të Holokaustit, veçanërisht të regjimit të Vichy-s në Francë”.
Ambasadorja Galit Peleg –Do të shtoja për këtë, gjithashtu edhe për atë që tha Kryeministri ynë, se populli hebre ka ekzistuar për 3,000 vjet dhe themelimi i Shtetit të Izraelit është mishërimi modern, do të thoja, i pavarësisë së popullit hebre. Shteti i Izraelit u krijua pas një pune që lëvizja sioniste bënte për, ndoshta, afër 100 vjet për të krijuar situatën që u krijua me atë mundësi në 1948. Pra, në të vërtetë, rezoluta e Kombeve të Bashkuara nuk krijoi Shtetin e Izraelit, ishin njerëzit e Izraelit që krijuan Shtetin e Izraelit. Por sa i përket vazhdimit, ose kuptimit, ose kontekstit të fjalimit të Macronit, dua të them këtë: Ne i kuptojmë marrëdhëniet speciale, – se ai po fliste për Libanin në të vërtetë, jo për Gazën, – ne i kuptojmë marrëdhëniet speciale, marrëdhëniet historike mes Francës dhe Libanit. Më kujtohet kur isha fëmijë, Beirutin e quanin Parisi i Lindjes së Mesme dhe kishte goxha pritshmëri që Libani do të lulëzonte. Ne gjithmonë mendonim kur isha fëmijë se Libani do të ishte vendi i parë arab me të cilin do të bënim paqe. Në vitet ’70 e quanim kufirin mes Izraelit dhe Libanit “Kufiri i Mirë”. Edhe pse nuk kishim marrëdhënie diplomatike, fshatarët nga jugu i Libanit e kishin bërë zakon që vinin në Izrael për të punuar. Ne vërtet kishim marrëdhënie shumë të mira me libanezët. Por, thënë kjo, dhe i kuptoj ndjenjat që një president francez ka ndaj një vendi si Libani, do të doja ta pyesja zotin Macron pse nuk e ngriti zërin kur Hezbollah ose Irani, që është sponsori i Hezbollah, mori kontrollin e Libanit? Pse nuk u ngrit për popullin libanez kur ata u vunë nën kontroll nga kjo organizatë terroriste që ua bëri jetën skëterrë, kur ata shkatërruan Libanin? Pra, kur ne sulmuam në Liban, – se në të fakt është edhe një çështje tjetër, – që nga 8 tetori 2023, një ditë pas masakrës që erdhi nga Gaza, Hezbollah filloi të lëshojë raketa drejt Izraelit. 9,000 raketa, a mund ta imagjinoni? Familja ime, mund t’ju them prindërit e mi janë 88 vjeç, po vrapojnë tani në strehim tre here natën për shkak të raketave. Isha në Izrael përpara dy javësh. Shkova të shihja vëllain dhe ishim ulur në dhomën e sigurisë, duke dëgjuar ndoshta 30 shpërthime rreth nesh. Nuk e dëgjova Presidentin Macron të thotë një fjalë përgjatë një viti për të ndaluar lëshimin e raketave nga Libani drejt Izraelit. Tani, kur Izraeli vendos të ndalojë këto sulme, papritmas ai zgjohet dhe papritmas qëndron me Libanin kundër Izraelit. Nëse ai e ka për zemër Libanin, ai duhet të bashkohet me Izraelin dhe të mbrojë Libanin nga Hezbollahu dhe nga Irani.
