Në Shqipëri, dorëheqja e anëtares së Gjykatës Kushtetuese Elsa Toska, më 19 shtator, dhe shpallja e vendit vakant për zëvendësimin e saj, me një mandat deri në vitin 2028, rrezikon të çojë në shkelje të Kushtetutës, e cila parashikon (Neni 125, pika 6) se “përbërja e Gjykatës përtërihet çdo tre vjet me një të tretën e saj, sipas procedurës së përcaktuar me ligj”. Skema e parashikuar në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, në pjesën e dispozitave kalimtare, (Neni 86, pika 4) përcakton mënyrën se si do të bëhej përtëritja e gjyqtarëve deri në vitin 2022, për të garantuar, që në vitt 2025, 2028 dhe 2031, të mund të realizohej ndryshimi, me tre anëtarë, një për secilin organ emërtese (Presidenti, Parlamenti, Gjykata e Lartë). Një skemë e cila reflektonte dispozitat kalimtare të Kushtetutës (Neni 179, pika 3), të ndryshuar në kuadër të reformës në Drejtësi, ku parashikohej kufizimi i mandatit.
Edhe Opinioni i Komisionit të Venecias, i qershorit 2020, lidhur me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetues, i bën të njejtin lexim skemës, kur në pikën 18 shprehet se “në këtë mënyrë, pika 3 e nenit 179, synonte të rikrijonte tre grupe me nga tre gjyqtarë, mandati i të cilëve do të përfundonte në të njëjtin vit: tre në 2025, tre në 2028 dhe tre në 2031”.
Për grupin e tre anëtarëve mandati i të cilëve duhet të përfundojë në vitin 2025, Presidenti i Republikës, në dekretin e 28 dhjetorit 2020, duke emëruar anëtaren Sonila Bejtja, përcakton se bëhet fjalë për vakancë të përkohshme (vendin e lënë nga anëtari Sokol Berberi, mandati i të cilit kishte përfunduar në vitin 2016).
Po kështu dhe Gjykata e Lartë, në datë 16 janar të vitit 2023, e përcakton madje të shprehur qartë se ka vendosur “zgjedhjen e Znj. Holta Zaçaj anëtare të Gjykatës Kushtetuese me mandat të pjesshëm, deri në kryerjen e ripërtëritjes në vitin 2025”. Zonja Zaçaj, aktualisht kryetare e Gjykatës Kushtetuese, mori mandatin pasues të zonjës Vitore Tushe, që kishte përfunduar në vitin 2017. Nëse do të kishte qenë 9 vjeçar, ai do të duhej të përfundonte në vitin 2026, por për të garantuar skemën e rotacionit me tre anëtarë në vitin 2025, ky mandat u kufizua me një vit.
