Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi këtë të mërkurë një takim me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, ku u diskutua mbi progresin e Kosovës në rrugën drejt integrimit europian, reformat e ndërmarra dhe bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Europian.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Costa vlerësoi arritjet e Kosovës në forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe lirisë së mediave. Ai theksoi gjithashtu se Kosova ka regjistruar rritje ekonomike të qëndrueshme, ndër më të lartat në rajon.
Nga ana e tij, Kurti falënderoi Bashkimin Europian për mbështetjen e vazhdueshme, duke e cilësuar BE-në si donatorin më të madh në zhvillimin dhe ndërtimin e institucioneve të Kosovës. Ai nënvizoi se kjo mbështetje është reflektuar në avancimin e reformave dhe promovimin e vlerave europiane në vend.
Gjatë takimit u diskutua edhe për Planin e Rritjes së BE-së, procesin e reformave dhe rëndësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat për Kosovën. Po ashtu, vëmendje iu kushtua çështjeve të sigurisë, bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
Kurti ritheksoi se Kosova mbetet plotësisht e rreshtuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian. Ai theksoi se Prishtina ka dënuar në mënyrë të vazhdueshme agresionin rus ndaj Ukrainës dhe është bashkuar me të gjitha sanksionet e vendosura nga BE-ja kundër Federatës Ruse.
