Më 20 tetor 2020, nënshkrimi i marrëveshjes politike për ndarjen e kufijve detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë krijoi një klimë të re në marrëdhëniet mes dy vendeve. Por, siç zbulon Ish-komandanti i Forcave Detare Artur Meçollari, pas këtij angazhimi fshihen shpenzime të dyshimta dhe humbje territoriale. Sipas tij, kryeministri Edi Rama shpërdoroi 3 milionë euro për konsulencë nga një kompani e drejtuar nga gruaja e Toni Blerit, që tregoi vetëm gjërat që dinim, pra humbjen e 40 km² det në Hagë. Ndërkohë, Meçollari flet edhe për shantazhet e fshehta të Athinës dhe depërtimin e anijeve greke në zonat e kontestuara në vitin 2022.
Meçollari është një njohës i mirë i debatit mbi Kufirin Detar, pasi në vitin 2018 ishte anëtar i grupit negociator që u ul në tryezën e diskutimeve përballë grekëve. “20 tetor 2020 – katër vjet nga marrëveshja politike për të ndarë detin me Greqinë në Hagë. Marrëveshja Rama-Dendias, ja çfarë u tha në atë kohë: U ra dakord për të zgjidhur çështjen në Hagë, por duke bërë nul dakordësitë e arritura në negociatat e vitit 2018. Kjo nënkupton që sipas marrëveshjes së vitit 2020 Shqipëria humbet në Hagë 40 km², për shkak të rrëzimit të vijës së drejtë bazë dhe mosnjohjes së Protokollit të Firences të vitit 1925 për kufijtë tokësorë, të njohur nga pala greke në 2018. Sa të vijë presidenti i ri, do mbyllen letrat, tha Dendias. Pra, Presidenti do jepte autorizimin për nisjen e negociatave. Presidenti ka mbi dy vjet në detyrë dhe nuk e ka firmosur ende, edhe pse MEPJ në mars 2023 i ka kërkuar zyrtarisht firmosjen e autorizimit për nisjen e negociatave dhe ngritjen e Grupit Negociator. Rama dhe Dendias ranë dakord politikisht që të vemi për të gjithë çështjen në Hagë.
Por, më pas, si MEPJ dhe KM Rama i kërkuan Greqisë konsensus të ri. E kuptuan që nuk mund të venë në Hagë për të gjithë çështjen duke injoruar dakordësitë e vitit 2018. MEPJ ka shpenzuar 3 milion euro për konsulencë juridike, duke kontraktuar kompaninë e znj.Cherie Blair, për të mësuar atë që e dimë, që në Hagë nuk mund të shkohet për të gjithë çështjen, siç parashikon marrëveshja politike e 20 tetorit 2020. Në nëntor 2022 anijet greke të kërkimit hynë për kërkimin e hidrokarbureve në zonën e kontestuar, por dhe në shelfin kontinental të Shqipërisë, si një presion për marrëveshjen në Hagë. Sipas MEPJ, anijet greke nuk hynë për kërkime në zonën e kontestuar detare dhe as në shelfin kontinental të Shqipërisë. Po AIS i tregonte brenda detin të Shqipërisë”, tha Meçollari.
Çfarë ndodhi?
Artur Meçollari, kujtoi dhe disa javë më parë edhe urdhrin e kryeministrit Sali Berisha në atë kohë dhe draft-marrëveshjen e firmosur nga dy qeveritë. “23 gusht 2007 doli Urdhri Nr. 135, datë 23.8.2007, i Kryeministrit të RSH për fillimin e negociatave për detin me Greqinë. Ky urdhër nuk ishte i autorizuar nga Presidenti i Republikës, sipas legjislacionit në fuqi dhe urdhëron vetëm delimitimin e shelfit kontinental dhe zonës ekskluzive ekonomike me Greqinë. Grupi negociator, në shkelje të ligjit nisi negociatat pa autorizim të Presidentit dhe ne shkelje të këtij urdhri delimitoi edhe detin territorial”, shkruan Muçollari ndër të tjera. Teksa më tej theksoi edhe shkeljet e kryera për rastin, të shpjeguara teknikisht.
“Të dyja këto veprime janë konsideruar në shkelje të ligjit nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese Nr. 15, datë 15 prill 2010, që shpalli antikushtetuese draft-marrëveshjen e detit me Greqinë, të firmosur më 27 prill 2009 në Tiranë”, shkruan ai. Grupin e punës e drejtonte Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme dhe në të bënin pjesë; Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Mjedisit, Mbrojtjes së Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Ministria e Punëve të Jashtme, Agjensia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Instituti i Gjeografisë Ushtarake. Gjithashtu ishin ftuar edhe përfaqësues nga Akademia e Shkencave. Urdhri hynte në fuqi menjëherë dhe ishte i firmosur nga ish-kryeministri Sali Berisha.
