Avokati i njohur, Idajet Beqiri ka hedhur dritë mbi skemat që sipas tij përdorën ish-presidenti Ilir Meta dhe deputeti Monika Kryemadhi për t’u pasuruar në mënyrë të jashtëligjshme, duke u kthyer në figura me pasuri marramendëse. Duke komentuar zhvillimet e fundit nga drejtësia dhe vendimin për të lënë në burg ish-presidentin Meta, Beqiri zbulon për gazetën “SOT” prapaskenat e dosjeve të hapura në SPAK dhe përmend konkretisht edhe përfshirjen e Shkëlzen Berishës në aferën CEZ-DIA. Në këtë intervistë, ai flet për akuzat e ngritura nga SPAK, provat e paraqitura, rolin e dëshmitarëve, përfitimet financiare nga privatizimet e dyshimta, lobimin në SHBA dhe burimet e pasurisë që, sipas tij, nuk justifikohen nga të ardhurat zyrtare të çiftit Meta-Kryemadhi. Beqiri ndalet me emra dhe me shifra, duke e cilësuar këtë vetëm si “maja e ajsbergut” përballë numrit të dosjeve që qëndrojnë ende në sirtarët e SPAK-ut.
-Avokat Beqiri, Apeli i Posaçëm i Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në “arrest në burg” ish-Presidentin Ilir Meta, duke mos ndryshuar masën e sigurisë. Z.Beqiri si i komentoni akuzat e SPAK ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe deputetes Monika Kryemadhi.
-Po, janë tre akuza faktikisht që janë të kopsitura mirë nga ana e SPAK-ut, janë ndërtuar mbi bazën e tre kallëzimeve penale. Evidentoj faktin që këto kallëzime penale, ndryshe nga të tjerat që kanë qenë vetëm një kallëzim, domethënë, “shkruaj ca faqe dhe dërgo në SPAK”, këto s’kanë qenë thjesht kallëzime, por kanë qenë të mbushura me prova, me fakte, me dokumente, që i afronin SPAK-ut edhe dëshmitarë okularë, që duke i pyetur ata, kishte mundësi pastaj që të shkonte drejt së vërtetës dhe dyshimin e arsyeshëm ta bënte provë. Kam parasysh edhe kallëzimin penal dhe që u formësua dosja e CEZ-DIA-s prej avokatit Romeo Kara i cili ka bërë një punë të jashtëzakonshme në këtë drejtim, ka sakrifikuar dhe ka rrezikuar shumë edhe nga jeta e vet e familjarëve të vetë, por arriti që më në fund pas shumë peripecish, ajo dosje të merrte rrugën e duhur dhe ne tashmë e shikojmë të provuar që në aferën e CEZ-DIA-s del i implikuar rëndë Ilir Meta. Dalin të implikuar disa bashkëpunëtorë të tij, por faktikisht dalin të implikuar njerëzit, edhe ata që janë të ligjit dhe që e njohin atë dosje dhe që dinë të vërtetat e asaj dosje, janë të befasuar dhe për të mos thënë që janë të zhgënjyer nga SPAK-u që nuk ka marrë të pandehur edhe Shkëlzen Berishën, i cili po tek afera e CEZ-DIA-s, në 6.2 milionë eurot që janë marrë nga Kalaj, ato kanë shkuar tek Shkëlzen Berisha dhe ato shkuan thjesht edhe vetëm sepse CEZ-i kur ja mori KESH-it energjetikën e vendit tonë, ata kërkuan që Shkëlzen Berisha edhe njerëz të tjerë afër Berishës, njerëz të tjerë afër Ilir Metës, ata të ulnin çmimin e energjisë elektrike, ta merrnin me një çmim të ulët.
