Nëna e Aleksandër Sadikajt, Silvana Kalemi, thotë se i ka dhënë policisë emrat e autorëve apo porositësve të të dyja vrasjeve, të djalit të saj dhe të vrasjes së para disa javëve në Memaliaj.
Ajo tha për mediat se kanë qenë 3 ose 4 persona me makinë me xhama të errët, është hapur xhami dhe kanë qëlluar dhe janë parë nga larg. Sipas saj, Policia e Shtetit është në dijeni.
“Sot do t’ju drejtohjem si nëna e Aleksandër Sadikaj dhe motra e Shyqyri Kalemit. Ne jemi të pafuqishëm që të ndryshojmë atë që ndodhi, por ne kemi besim tek drejtësia e shtetit shqiptar, në mënyrë që institucionet kompetente të vënë para përgjegjësisë autorët e këtij akti të rëndë. Ne i kemi dërguar me emra në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Kemi besim tek policia e shtetit dhe drehjtësia do të vihet në vend. Kanë qenë 3 ose 4 persona me makinë me xhama të errët është hapur xhami dhe kanë qëlluar dhe janë parë nga larg, Policia e Shtetit është në dijeni. I kemi raportuar të gjitha kush janë dhe nga janë. Unë e kam bërë publike dhe e bëjë dhe tani Ledjon Hallushaj me shoqërinë e tij është autori i vrasjes së djalit tim”, tha ajo.
Vrasja e Sadikajt
Aleksandër Sadikaj, 27-vjeç është vrarë në një atentat me tritol me telekomandë në qershor të vitit 2022. I riu me precedentë penalë ka qenë duke udhëtuar me makinën që rezulton të jetë në pronësi të Petrit Osmanit në momentin që atentatorët kanë shpërthyer tritolin me telekomandë. Sadikaj u nxorr pa gjymtyrë nga mjeti dhe kalimtarë të rastit e dërguan në spital ku dhe ndërroi jetë. 27-vjeçari është skeduar për një sërë veprash penale si vjedhje, vrasje, plagosje dhe mosbindje e kundërshtim të forcave të policisë.
