Deputetja demokrate Ina Zhupa dha më shumë detaje për Komisionin e Dezinformimit, që sipas saj rrezikon kontrollin e plotë të informacionit, i cili përdoret jo vetëm në median audio-vizive por edhe në atë online.
Edhe si Kryetare e Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, Zhupa tha se administrata e re amerikane me presidentin Donald Trump në krye, e mbylli një komision të tillë në SHBA, me argumentin se është përdorur nga qeveria për të goditur opozitën dhe mbajtur nën kontroll median, një praktikë e cila u kopjua nga Shqipëria për ta implementuar në vendin tonë.
Sipas Zhupës, pavarësisht se SHBA e mbyllën Komisionin për Dezinformimin, Shqipëria e vijoi një praktikë të tillë, mdaje duke dashur ta ‘perfeksionojë’ më tej atë, në mënyrë që ta centralizojë pushtetin e katërt (median) në dorën e një njeriu.
Për ligjvënësen e PD, ‘djalli fshihet në detaje’, teksa iu referua tentativave të qeverisë për të kontrolluar median përmes strategjisë së informimit me regji, apo informacionit që kanalizohet e kontrollohet fillimisht nga qeveria përmes start up-eve që do të bëjë kontrollin e fakteve.
Gjithashtu, Zhupa tha se qeveria do të përpiqet ta kontrollojë duke e dhënë ajo ‘vulën’ nëse lajmi është i vërtetë apo jo, sikurse edhe rastet kur mund t’i ndërpresë çdo akses apo fond, në mënyrë që ta ketë nën kontroll.
