Bashkimi i grupit të deputetëve të Gazmend Bardhit ka futur në sherr “Foltoren” dhe Partinë e Lirisë. Ish-presidenti i ka qëndruar fjalës së tij në tetor të 2023 se është i gatshëm që ta çojë para projektin e partisë së tij edhe i vetëm, megjithëse u kujdes të shtonte se është i hapur për bashkëpunime, vetëm me Partinë Demokratike të Kuvendit të 11 dhjetorit, ku nuk përfshihet Bardhi. “Koalicioni bëri përpjekjet e tij më të mira për kohën dhe rrethanat anormale dhe të sforcuar në të cilat u krijua. Përsa i takon të ardhmes, Partia e lirisë është e hapur për bashkëpunim me PD të 11 dhjetorit, me çdo forcë tjetër politike. Vlerëson çdo ristrukturim të forcave të tjera që ndihmon për të rritur efikasitetin opozitar. Sa i takon koalicionit për të ardhmen, jemi ende në kohë për të marrë vendimet e duhura dhe është detyra jonë që në çdo rast të përgatitemi sikur do të hyjmë vetëm. Për ne themelore është ç’kapja e shtetit dhe rivendosja e demokracisë dhe kjo mund të ndodhë vetëm përmes fuqizimit të opozitës”, deklaroi ai. Gjatë gjithë kësaj periudhe, Meta nuk i është bashkuar aksionit dhe luftës së “Rithemelimit” për shkak të Bardhit. Por nga ana tjetër grupi i Sali Berishës po kërkon me forcë që të mbyllet gjyqi për vulën e PD në mënyrë që ata mos të përfundojnë nën çatinë e Partisë së Lirisë njësoj si zgjedhjet vendore në maj të 2023, ku koalicioni Meta-Berisha pësoi disfatën e madhe. Ishte nënkryetari i Kuvendit Agron Gjekmarkaj, i cili në një letër drejtuar gjyqtarëve të Apelit që kanë në dorë çështjen e vulës së Partisë Demokratike, i kërkon të vendosin me paanësi, duke i kërcënuar në një farë forme, se nuk duhet të guxojnë të dëmtojnë interesat e vendit.
Vota “hakmarrëse” e demokratëve
Një nga faktorët ndikues që goditi koalicionin Berisha-Meta në 2023 ishte vota “hakmarrëse” e demokratëve. Berisha u tha demokratëve: “Votoni Ilir Metën”. Ky ishte një poshtërim i madh që i bëhej çdo demokrati, pasi njeriu që ka dhunuar më shumë të djathtën, që ka fyer më shumë demokratët, që ka përçudnuar dhe sabotuar çdo qeverisje të së djathtës në Shqipëri, iu tha të votoni Ilir Metën, sepse në fletë votimi rezultoi Ilir Meta. Berisha u tha të gjithë qytetarëve në atë kohë që të mos hedhin asnjë votë nën logon e partisë të cilën ai vetë themeloi. Sipas tij, çdo votë për Partinë Demokratike, është votë për Edi Ramën, duke përsëritur qëndrimin e tij nga drejtuesve të kësaj force politike që i konsideron pengje të kryeministrit. Por të gjithë e njohin Metën si politikan tradhtar dhe të pabesë. Këtë gjë e ka vërtetuar koha. Demokratët nuk e harruan sërish se si Meta i la në opozitë që nga viti 2013. Ilir Meta është politikani i vetëm i tranzicionit shqiptar që është kapur me bllok në dorë, me zë dhe figurë, duke kërkuar pjesën e tij prej 7%, në një aferë të madhe korruptive. Njeriu me bllok në dorë, që sot del e sulmon kreun e PD-së, Lulzim Basha, është i njëjti që sulmonte nga foltorja e Parlamentit Sali Berishën dhe familjen e tij, ndërsa sot i qëndron në krah si aleat dhe bën ironi me të parin. Ilir Meta është politikani i fundit në Shqipëri që mund të akuzojë të tjerët për pazare, sepse pazari i tij më i madh është keqpërdorimi i pushtetit të PD-së në interesin e tij korruptiv dhe të Edi Ramës, siç u dëshmua për vite me radhë. Por nga ana tjetër qëndrimi i Metës kundër “Rithemelimit” që në momentin kur u bashkua Bardhi qëndron. Ky i fundit çfarë nuk tha për dyshen Berisha-Meta kur ishte në krahun e Lulzim Bashës. Një gjë është e sigurtë, situata brenda “Foltores” nuk është e mirë, pasi zgjedhjet e 2025 po vijnë. Nëse gjykata nuk i jep vulën, “Rithemelimi” asin e fundit nën mëngë e ka që të krijojë parti të re pasi Meta nuk i pranon në gjirin e tij
