Ish-komandanti i Forcave Detare, Artur Meçollari ka dhënë alarmin se Shqipëria rrezikon të mbetet pa port. Në një reagim, Meçollari shkruan se ka dështuar me sukses për herë të dytë tenderi për fazën e parë të ndërtimit të Portit të ri në Porto Romano. Sipas tij arsyeja është se projekti nuk ka studim fizibiliteti dhe nuk mbështetet as nga NATO dhe as nga BE. “Dështon me sukses për herë të dytë tenderi për fazën e parë të ndërtimit të Portit të ri në Porto Romano. Projekti nuk ka studim fizibiliteti dhe nuk mbështetet as nga NATO dhe as nga BE.
Vjet, në shkurt 2023, u paraqitën 40 kompani, por asnjëra nuk paraqitë ofertë. Skema e financimit ishte 180 milion Euro nga buxheti i Shtetit dhe 210 milion Euro me koncesion. Këtë vit, korrik 2024 u paraqitën 15 kompani, por asnjëra me sa duket nuk ka paraqitur ofertë. Skema e financimit ishte 390 milion Euro nga buxheti i Shtetit. Për suksesin e tenderit dhe monitorimin e kontratës së zbatimit, APD ka lidhur një kontratë konsulence prej 12 milion Euro me kompaninë projektuese të Portit në Porto Romano, Royal Haskoning DHV”, shkruan Meçollari
Si e trumbetoi Rama dhe Balluku?
Gara për tenderin e portit të ri në Porto Romano u hap në fund të muajit korrik përmes një eventi të madh të drejtuar nga kryeministri Edi Rama dhe zëvendësja e tij Belinda Balluku. Shefi i qeverisë lajmëroi se për ndërtimin e kësaj vepre kanë shprehur interes 15 kompani, pjesa dërrmuese e të cilave nga më të mëdhatë në botë. “Më vjen shumë mirë që ndër kompanitë e interesuara, ne kemi 5, edhe 5 kompanitë e listuara, si 5 më të mëdha në botë që tregon se çfarë interesi ka ky port, por historia e zhvillimit të porteve që ne e kemi mësuar për shkak të detyrës ka treguar që nëse këto kompani “gjejnë shesh”, “bëjnë një përshesh” aq të madh sa atë shumën në fillim të tenderit ta çojnë dyfish, trefish, katërfish pa asnjë problem nëse ti nuk ke peshkatarë peshkaqenësh në tokë.
Por mos harroni që nuk keni vetëm ne mbi kokë, por keni edhe peshkatarët holandeze. Harrojeni peshkaqenin, atë shkoni bëjeni në ndonjë vend tjetër jashtë Europës ku ka plot porte që ndërtohen”, tha Rama. Tenderi ishte parashikuar të zhvillohej në datën 16 shtator, ku këto kompani duhet të paraqisnin ofertat financiare. Por me sa duket oferta nuk ka patur, ose kane qenë jo në përputhje me kushtet e kërkuara.
Konsulencë e shtrenjtë holandeze
Sipas Kapital, procesi i tenderimit të portit të ri në Porto Romano u udhëhoq nga kompania holandeze Royal Haskoning. Qeveria shqiptare përmes një kontratë të veçantë konsulence i dha kësaj kompanie atribute publike deri në përzgjedhjen e fituesit. Për këtë shërbim, qeveria i ka paguar 12 milionë euro kësaj kompanie, përmes Autoritetit Portual të Durrësit. Kontrata kontroverse me hollandezës u nënshkrua falë ndryshimit enkas të ligjit të prokurimeve.
