Nikola Kedhi, këshilltar në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike, ka deklaruar se marrëdhëniet mes qeverisë shqiptare dhe administratës së presidentit Donald Trump janë në një fazë të ngrirë, duke fajësuar drejtpërdrejt qeverinë për problemet në sigurinë kombëtare dhe kibernetike.
I ftuar në një studio televizive, Kedhi u ndal te pezullimi i përkohshëm i disa procedurave të lidhura me emigracionin drejt SHBA-së, situata politike në Shqipëri dhe sinjalet që vijnë nga Uashingtoni.
“Shqipëria vuan rëndë në fushën e sigurisë kibernetike. E pamë skandalin me AKSHI-n. Problemi buron nga vetë qeveria. Mund të them se ka një ngrirje reale të marrëdhënieve mes qeverisë shqiptare dhe administratës së Trump”, u shpreh Kedhi.
Ai theksoi se përfaqësuesit amerikanë në Shqipëri kanë insistuar vazhdimisht në tri pika kryesore: luftën kundër karteleve të drogës, krimit transnacional dhe korrupsionit.
Sipas tij, është për të ardhur keq që Shqipëria po renditet në të njëjtin grup me vende që përballen me konflikte civile, trafik droge dhe organizata kriminale.
“Më vjen turp që Shqipëria krahasohet me vende në konflikte civile apo vende të Afrikës. Kjo tregon degradimin e shtetit. Administrata Trump ka prioritet kontrollin e kufijve dhe mënyrën se si përdoren paratë e taksapaguesve amerikanë. Ka pasur abuzime serioze me fondet amerikane dhe kjo po hetohet”, tha ai.
Kedhi u ndal edhe te ekonomia shqiptare, duke deklaruar se ajo mbahet artificialisht dhe se sektorë kyç si bujqësia dhe industria janë në recesion.
“Ekonomia shqiptare mbahet nga paratë e drogës. Qytetari nuk sheh shpresë dhe detyrohet të emigrojë. Kemi hyrë në atë që unë e quaj ‘shoqëria e tërheqjes’, ku pak individë sundojnë dhe shumica largohen nga vendi”, u shpreh ai.
Ai theksoi se politika e jashtme e administratës Trump synon forcimin e Perëndimit, kufizimin e ndikimit të Kinës dhe Rusisë dhe një zgjim të Europës, e cila sipas tij sot është jashtë tavolinës së vendimmarrjeve të mëdha.
Në këtë kontekst, Kedhi tha se Ballkani është kthyer në prioritet për SHBA-në, me fokus në demokratizim, zgjedhje të lira, siguri kibernetike dhe luftë kundër ndikimit rus e kinez.
“Nuk mund të jetë partner i besueshëm një vend që shet të dhënat e NATO-s përmes skandaleve të AKSHI-t, duke futur kompani nën hetim dhe duke cenuar sigurinë kombëtare të shqiptarëve dhe aleatëve tanë”, përfundoi Kedhi.
