Samiti për Ukrainën, vendet e Evropës Juglindore miratojnë deklaratën në mbështetje të Kievit

Data

Përfaqësuesit e 12 vendeve të Evropës Juglindore miratuan të mërkurën vonë Deklaratën e samitit për Ukrainën në Dubrovnik të Kroacisë, ku mori pjesë edhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, duke e dënuar agresionin rus dhe duke e mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Deklarata e dënon agresionin rus në Ukrainë, e mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, duke përfshirë gadishullin e Krimesë, të cilin Moska e uzurpoi më 2014, si dhe shpreh mbështetjen për planin e paqes të Zelenskyt dhe thekson se kushti për paqen është tërheqja e trupave ruse nga Ukraina.

Udhëheqësit e vendeve mbështetën integrimin evropian të Kievit dhe anëtarësimin në NATO kur të plotësohen kushtet.

Deklarata thekson gjithashtu rëndësinë e sigurisë energjetike të Ukrainës, veçanërisht duke pasur parasysh dimrin e ardhshëm. Në këtë kuadër, u konsiderua ofrimi i ndihmës për atë vend për të zbutur pasojat që pësoi sektori energjetik nga sulmet ruse.

Më tej thuhet se termocentrali bërthamor i Zaporizhja duhet të kthehet në kontrollin e Ukrainës dhe të funksionojë në përputhje me parimet e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Zaporizhja aktualisht është nën kontrollin rus.

Duke folur gjatë samitit, Zelensky tha se, nëse Evropa nuk është e bashkuar, atëherë “nuk mund të presim paqe”.

“Askujt në Evropë nuk duhet t’ia sjellim ndër mend se sa e çmuar është paqja, veçanërisht këtu në Ballkan. Çfarë ndodh në Ballkan dhe çfarë ndodh këtu në Ukrainë, në një farë mënyre, përcakton stabilitetin e të gjithë Evropës. Faleminderit për mbështetjen tuaj dhe që jeni ngritur kundër përpjekjeve të Rusisë për ta destabilizuar edhe këtë rajon”, tha Zelensky.

Presidenti ukrainas tha se prej korrikut janë duke punuar në një dokument që do të përmbajë kushtet që “duhen plotësuar për një përfundim të drejtë të luftës” dhe u bëri thirrje pjesëmarrësve të Samitit që të përfshihen në atë proces.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related